E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy diva në kërkim të dashurisë në kinema “Milennium”



Një komedi ne nuanca aksioni mbërrin premierë në kinema “Milennium” në ditët e fundit të muajit qershor. Duke filluar nga data 29 qershor në ekranin e madh do të projektohet “The Bounty Hunter”, komedia më e re, e drejtuar nga regjisori i “Hitch”, Andy Tennant I cili konsiderohet si një garanci suksesi për komeditë romantike. Protagonist është Milo Boyd, interpretuar nga Gerard Butler,të cilit i ngarkohet si detyrë që të arrestojë ish-gruan e tij Nicole Hurley (të interpretuar nga Jennifer Aniston), me të cilën nuk ka marrëdhënie aspak të mira. Por shumë shpejt detyra e besuar do t’i kthehet në një punë të padëshirueshme sepse do të zbulojë që dikush kërkon të vrasë gruan dhe në këtë mënyrë atij i duhet që ta mbrojë … Milo Boyd është një personazh që të bën për të qeshur dhe mjaft zbavitës, kështu do ta shikojnë në këtë film aktorin skocez Gerard Butler, i njohur më shumë në gjini të tjera filmike si “300” apo “Tomb Raider”. Kur është pyetur se përse kishte vendosur të merrte pjesë në këtë film, Jennifer Aniston është përgjigjur : “Sipas meje Bounty Hunter eshte nje miks romance, suspanse dhe aksioni”. Komedia në fakt nuk kufizohet vetëm në aksionet komike por përmban edhe shumë skena spektakolare. Dhe nga këto të fundit Jennifer kujton se i është dashur të vrapojë për dhjetëra milje me sandalet me taka të larta. Ndërkohë Gerard Buttler shpjegon se i ka pëlqyer shumë skenari: “E dashurova menjëherë skriptin sepse ishte mjaft zbavitës”. “The Bounty Hunter” është një komedi kryesisht e thjeshtë dhe e këndshme, gjatë gjithë minutave të saj në mes të aksionit dhe një sensi romantik të spikatur që Tennant demonstron shpesh vullnetarisht në filmat e tij. Gjithcka në dukje të parë sipas stilit të komedisë amerikane por më pas ngjarjet dhe skenat ngrenë produktin filmik nga një nivel i thjeshtë në një nivel zbavitës dhe plot gjetje origjinale që shkaktojnë të qeshura tek publiku. Sidomos tema e çiftit të ndarë dhe dinamika e tij, në mënyrë të veçantë dy të dashuruar që ndahen, por që nga ana tjetër vazhdojnë të pëlqehen. Pikërisht në funksion të këtyre dinamikave filmi ia del mbanë që të vijë si një prodhim argëtues.
Një nobelist dhe një piktor shqiptar në “Shkupi 2014”
Përmendorja e piktorit Adem Kastrati dhe ajo e nobelistit Ferid Murati, janë dy nga pesë figurat shqiptare që pritet të vendosen pranë mbikalimit “Syri”, në kuadër të projektit “Shkupi 2014”. Këtë për gazetën “Koha e Re” e ka bërë të njohur historiani, Skënder Hasani. “Adem Kastrati është piktor i merituar, veprat e të cilit kanë kaluar kufijtë e Maqedonisë. Figura tjetër është ajo e Ferid Muratit, i cili ka marrë Çmimin Nobel për mjekësi, ka precizuar historiani Hasani. Zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku, ka thënë se ende nuk dihet cilat janë ato pesë figura, por bën me dije se ato do të jenë personalitete të jetës kulturore shqiptare. Marrëveshja për realizimin e këtij projekti, siç ka bërë të ditur Duraku, bëhet në nivel të dy partnerëve të koalicionit. “Ne si BDI diskutojmë idetë se cilat mund të jenë këto pesë figura. Ekzistojnë shumë propozime që do të duhet t’i shqyrtojmë me partnerin maqedonas VMRO-DPMNE, që pastaj do të realizohen”, ka thënë zëdhënësi Duraku. Gjatë këtij viti duhet të vendoset vetëm njëra nga tre figurat e personaliteteve shqiptare në sheshin e Shkupit, ndërsa dy të tjerat paralajmërohen të vendosen gjatë vitit 2011. Tre figurat e para që pritet të vendosen në kuadër të projektit qeveritar “Shkupi 2014”, siç është paralajmëruar, do të jenë Pjetër Bogdani, Nexhat Agolli dhe Josif Bageri. Ky projekt është në realizim e sipër. Deri tash në sheshin e qytetit të Shkupit janë vendosur figurat e revolucionarëve Goce Dellçev, Dame Gruev dhe Metodija Antonov Çento. Kundër realizimit të këtij projekti, që do të kushtojë 200 milionë euro, janë deklaruar rreth 75 për qind e qytetarëve, duke e quajtur atë famëkeq dhe që ka nxitur përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike në vend.

30 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›