E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andrea Griminelli në skenën e TKOB

SHKRUAN: Aida Tuci 27-01-2011 12:22

Mjeshtri ndërkombëtar i flautit troket edhe në Shqipëria

Një koncert i jashtëzakonshëm, i cili do të kthejë në Tiranë, pas suksesit më 2008, flautistin e famshëm Maestro Andrea Griminelli, të shoqëruar këtë radhë nga të famshmit Ensemble Rossini Virtuosi, do të jepet të premten në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. I brohoritur nga kritika dhe publiku për interpretimet e tij shumë të ndjeshme dhe për teknikën e tij mahnitëse, Andrea Griminelli është renditur nga New York Times “ndër tetë artistët në zhvillim të viteve ’90”. Prek për herë të parë flautin në moshën dhjetë vjeç, studion me legjendarët Jean-Pierre Rampal dhe Sir James Galway, i cili e konsideron atë “si flautistin më të madh që ka hipur në skenën muzikore prej shumë vitesh”. Debutimi i tij në nivel ndërkombëtar ndodh më 1984, në moshën njëzetepesë vjeç, kur iu prezantua publikut të përtej oqeanit, në Madison Square Garden në New York nga Luciano Pavarotti, me të cilin gjatë viteve në vazhdim ndërmerr një bashkëpunim intensiv, ku spikasin koncertet e paharrueshme në Hyde Park të Londrës më 1990, në Central Park të New York-ut më 1993, në Kullën Eiffel të Parisit dhe në Sheshin e Kuq të Moskës. Karriera e tij pasurohet me koncerte të rëndësishme dhe turne në Europë, Japoni, Amerikë të Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën; debuton në teatro dhe salla koncertesh ndër më prestigjiozet, duke filluar nga Teatri la Scala i Milano-s në Carnegie Hall të New York-ut, përkrah artistësh si Pretre, Giulini, Metha, Krivine, Sutherland, Bonynge, Rampal, Rojdestvenski, Levine, Lu-Ja, Ughi, Sado, Semkov dhe Orkestrash si Royal Philharmonic, Rai i Torino-s, Dallas Symphony dhe Los Angeles Philharmonic. Aktiviteti i tij artistik pasurohet gjithashtu në sajë të bashkëpunimeve me Luciano Pavarotti-in, Elton John-in, James Taylor-in, Bradford Marsalis-in dhe legjendarin Ian Anderson, lider i Jethro Tull. Ndërsa Ensemble Rossini Virtuosi, i përbërë nga solistë, që të gjithë të orkestrave më të mira italiane, është krijuar me qëllimin për të thelluar repertorin e muzikës së dhomës, ku spikat bashkëpunimi me solistë të mëdhenj si Maestro Griminelli. Në koncertin e tyre të parë në Teatrin e Operas dhe Baletit do të ekzekutohen pjesë “virtuoze” të Antonio Vivaldi-t, Alessandro Marcello-s dhe Saverio Mercadante-s, ndërsa në pjesën e dytë do të luhen medley i E. Morricone-s dhe M. Rota-s, pjesë të Bach-it, “La Czarda” e Monti-t dhe, në mbyllje, Fantasia brillante sulla Carmen e Bizet, firmosur nga Borne.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›