E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti miraton ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë

Në qendër të debatit kanë qenë ndryshimet e propozuara në lidhje me titujt e diplomave dhe testin e gjuhës angleze


Është miratuar gjatë seancës së djeshme të Parlamentin projektligji i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për disa ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë. Ashtu sikundër pritej, debati më i madh është përqendruar në dy pika, në ekuivalentimin e titujve të diplomave si dhe pranin e gjuhës anglezë në programet e studimit master.


Gjatë fjalës së tij në parlament, Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, në lidhje me praninë e detyrueshme të anglishtes në programet e studimit master u shpreh se testi ndërkombëtar i gjuhës angleze TOEFL, nuk është domosdoshmërisht i detyrueshëm, por nga ana tjetër, ashtu si në komisionin e mjeteve të edukimit pak ditë më parë ai u tregua i gatshëm për përzgjedhjen e një testi tjetër të parametrave ndërkombëtare. Tafaj u shpreh se në këtë mënyrë nuk i hiqet e drejta universiteteve Publike për zhvillimin e testit të anglishtes.


"Ka vite që departamentet e universiteteve kanë vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me fakultete homologe në botë, por edhe mes agjencive qe zhvillojnë testet ndërkombëtare", u shpreh Tafaj, duke shtuar se njohja e anglishtes i bën studentët shqiptarë më dinjitoz në tregun e punës. Pika tjetër që ka ndezur diskutime ishte ekuivalentimi i diplomave në të tre ciklet e studimit.


Përgjigjja e Ministrit për këtë pikë ka qenë ligji, ku është shprehur se aty është dhënë në mënyrë të saktë se si do të bëhet konvertimi i titujve të diplomave, ndonëse në ligj jepet në mënyrë të mjegullt se çfarë ndodh me diplomat e reja dhe më ato që janë dhënë për 60 vjet me radhë. Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, e ka kundërshtuar projektligjin në një tjetër pikë.


Sipas tij, ndryshimet e paraqitura i heqin një here e përgjithmonë të drejtën e autonomisë universiteteve dhe e përqendrojnë atë në duart e Ministrisë së Arsimit. Kjo deklaratë është bërë në kuadër të reduktimit të kompetencave të Universiteteve për pranimet në IAL.


Sipas ligjit të ri, tashmë universitetet nuk do të vendosin për kriteret e pranimit të studentëve, por vetëm do t'i propozojnë pranë MASH. Nëpërmjet këtij drafti, MASH ndërhyn për herë të tretë në pesë vite në ligjin për arsimin e lartë në Shqipëri. Me qëllimin e vetëm për të përmirësuar gjendjen e arsimit të lartë në vend kjo anë e tretë që i bëhet ligjit duket se nuk do të rregullojë më shumë gjëra nga sa kanë rregulluar dy ndërhyrjet e mëparshme.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›