Paralajmërimi edvinist i Ballës

“Islami e meritoi përjashtimin, Majkon s’e dënuam se do e dorëzojë mandatin vetë”
Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla, dhe njëherazi sekretari i grupit të PS, sqaroi arsyet e përjashtimit të Kastriot Islamit. Sipas Ballës, çregjistrimi i Islamit lidhet me votimin në Kuvend për kandidaturën e Bujar Leskajt, i cili shkeli vendimin politik të Partisë Socialiste duke u larguar nga salla. “Çregjistrimi bëhet për thyerje të vendimit politik të grupit në lidhje me votimin në Kuvend për kandidaturën e Bujar Leskajt si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deputeti Kastriot Islami ndryshe nga gjithë të tjerët, vendosi të shkojë në drejtimin e kundërt me frymën e këtij mirëkuptimi dhe përmbajtjen e kësaj vendimmarrjeje të mishëruar edhe në vendimin politik të thyer prej tij”, u shpreh Balla. Ndërkohë sipas Ballës, kryesia e Grupit Socialist mirëkuptoi plotësisht pamundësinë objektive të deputetit Pandeli Majko për të qenë i pranishëm në seancë dhe në emër të të gjithë deputetëve socialistë uron bashkë me të gjithë shqiptarët suksesin e plotë të kandidaturës së tij, për postin e lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pra, skema është e thjeshtë dhe e kuptueshme; Islami s’ka për të shkuar gjëkundi dhe meriton të përjashtohet, ndërsa për Pandeli Majko është gjetur një ‘aneks’ për t’i kërkuar dorëzimin e mandatit të deputetit, duke i premtuar postin e zëvendëssekretarit të OKB-së.
...