“Përjashtimi i Islamit, vendim i gabuar, PS po afron një model jo demokratik”

Arben Malaj, deputet i PS-së Anëtari i kryesisë dhe deputeti Arben Malaj, reagoi dje pas vendimit të grupit parlamentar socialist, për përjashtimin nga radhët e PS të deputetit Kastriot Islami. Reagimi i Arben Malajt erdhi pak minuta pas shpalljes së vendimit nga grupi parlamentar socialist. Sipas Malajt, përjashtimi i Kastriot Islamit, është vendimi më i gabuar i marrë ndër vite, nga Partia Socialiste dhe forumet e saj drejtuese. “Unë e kam thënë dhe e them se deputetët nuk duhen konsideruar thjesht kartona solidarë. Ngjarja që ka ndodhur me kolegun Islami nga pikëpamja shoqërore është e trishtueshme dhe nga pikëpamja politike është e dëmshme, pasi nuk i shërben sfidave politiko - demokratike apo dhe elektorale të PS. Në shoqëritë demokratike janë individët që përzgjedhin partitë politike të cilave u besojnë dhe për të cilat përkushtohen. Në modelet jo demokratike janë partitë politike që përzgjedhin individët që promovojnë apo që përjashtojnë”, u shpreh deputeti Malaj. Deklaratat e tij, deputeti socialist i bëri gjatë një takimi me të rinj në Qytetin Studenti. Si drejtuesi i bashkëbisedimit kombëtar për modernizimin e partive politike, njëkohësisht një prej ekonomistëve të mirënjohur në vend Malaj i kushtoi rëndësi të veçantë disa mesazheve kryesore si “modernizimi i politikës shqiptare mund vijë vetëm nëpërmjet mbështetjes që të rinjtë mund t’i japin iniciativave publike që synojnë zhvillimin dhe progresin e gjithanshëm ekonomik, shoqëror, njerëzor, institucional dhe integrues të vendit”.
...