E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtohet nga PS Kastriot Islamin, në një mbledhje me dyer të mbyllura

21-12-2011 / Gazeta 55

Pinjolli i nomenklaturës tejkalon atin e vet shpirtëror. Nuk i lejon “të dënuarit” as të bëjnë autokritikë

Thërrmohet përpjekja maoiste e Edi Ramës,  katër deputetë dalin kundër vendimit të grupit, dy abstenojnë dhe dy të tjerë s’marrin pjesë 

Përfundimisht, Edi Rama e ka shndërruar Partinë Socialiste në një celulë refraktare me bazë ideologjie mekanizmat e Partisë së Punës, duke filluar nga sulmet brenda llojit, autokritika, përndjekja dhe deri te eliminimi politik (jo fizik si Enveri), i kundërshtarëve që shprehin haptazi skepticizmin e tyre për anomalinë që po shoqëron PS-në, orientimi politik nga lidershipi aktual, Edi Rama. Mund të thuhet pa frikë se dje, Partia Socialiste shënoi rekordin më të zi në historinë politike pluraliste, të 21 viteve të fundit.
Si të mos mjaftonte precedenti i korrikut të 2007-ës, kur 6 deputetë të PS u nxorën jashtë grupit parlamentar socialist, jo më larg se dje, Edi Rama bëri një tjetër akt imoraliteti dhe të papajtueshëm me rregullat dhe parimet demokratike të funksionimit të një force politike.
Përjashtimi i një prej figurave kryesore politike të PS, padyshim që përbën standardin më të ulët të një vendimmarrje që del nga zyra e kryesocialistit në detyrë, të supozuarit lideri i së majtës politike.
Kastriot Islami, 21 vite deputet i PS, ish kryetar i parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë post-komuniste, anëtar i disa kabineteve qeveritare si ish ministër i Jashtëm apo dhe ish ministër i Financave, anëtar dhe kryetar i disa komisioneve parlamentare si ai për hartimin e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo dhe të reformës zgjedhore në disa vite me radhë, anëtar dhe personalitet i rëndësishëm i delegacionit shqiptar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës etj, dje u çregjistrua nga grupi parlamentar socialist.
Vendimi u mor dje në mesditë në një mbledhje me dyer të mbyllura, pasi të premten kryesia e re e PS-së, i delegoi vendimin grupit parlamentar.
Kryetari i grupit Gramoz Ruçi u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare (kujtojmë që në këtë seancë ka munguar edhe deputeti Pandeli Majko, pavarësisht se bëri të njëjtën shkelje, apo edhe vota e Ben Blushit dhe Arben Malajt “pro” kandidaturës së Ardian Fullanit për Guvernator të Bankës së Shqipërisë). Në parim është e njëjta shkelje, i njëjti veprim që përbën thyerje të vendimit të grupit parlamentar, por njëri përjashtohet dhe 3 të tjerët as që konsiderohen si pjesë e grupit komplotist.
Sigurisht që kjo është strategji e Ramës për të shuar zërat e tjerë (Malaj, Blushi dhe Majko), të cilët mund të prodhojnë një reaksion potencialisht të rrezikshëm për të paudhin e ngrehinës socialiste. Vendimi selektiv ishte kursi më i pastër dhe më pak i rrezikshëm për shpurën e aleancës së klientelizmit në Partinë Socialiste si dhe një hap i sigurt drejt përjashtimit po selektiv në të ardhmen të të tjerë elementëve ‘kritikë’ (Malaj, Blushi, Majko).
Dje, Kastriot Islami kërkoi me ngulm që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura dhe në transparencë të plotë ndaj mediave dhe opinionit publik. Por kjo u refuzua nga kryetari i grupit, Gramoz Ruçi dhe kreu i PS, Edi Rama.
Duke e cilësuar një ngjarje të rrallë për politikën shqiptare, Islami ftoi mediat në orën 14:30 në Kuvendin e Shqipërisë për t’i komunikuar qëndrimin e tij, ku dënoi veprimin e selisë rozë, e cila bëri njësoj si byroja politike e Enverit 30 vjet më parë me autokritikën e Mehmet Shehut. Ndërkaq, prej ditës së djeshme, Kastriot Islami s’ka asnjë detyrim ndaj Partisë Socialiste, s’mban përgjegjësi për kauzat parlamentare të saj, megjithëse siç edhe paralajmëroi do luftojë fort për interesat e të majtës politike...s’i dhe s’do dorëzohet përballë akuzave dhe sulmeve të lidershipit socialist. Një vendim i konsideruar unanim, por me rrjedhje votash, i cili në rastin më të mirë është veçse një oportunizëm dilentantesk i shprehur nga 4 deputetë socialistë të cilët votuan kundër vendimit të grupit (Arben Malaj, Tom Doshi, Hazir Gashi dhe Marko Bello), edhe pse ky gjest “opozitarizmi” ishte i kontrolluar nga aparatçiku socialist. Më e besueshme mbetet vota abstenuese e dy deputetëve si Pandeli Majko dhe Et’hem Ruka si dhe dy ligjvënësit e tjerë Andis Harasani dhe Ben Blushi, të cilët as denjuan të marrin pjesë në gjyqin politik, dënimi i të cilit jepej në mungesë të të akuzuarit (Islamit).
Qasja në strukturën politike e “precedentit të përjashtimit” dhe përndjekjes së kundërshtarëve të vijës së partisë apo lidershipit të saj, përbën modelin më të shëmtuar të tentativës për të shtirë në dorë forumet politike dhe prej saj vendimmarrjen e kontrolluar, për t’i shërbyer interesave klienteliste (shpurës që ka kapluar PS-në, në sajë të interesave më shumë ekonomike dhe financiare se politike).
Nga ana tjetër, baza socialiste, ka nisur lëvizjet e para kundër frymës së përjashtimeve në PS. Vlen të përmendet protesta e shprehur dje nga një grup socialistësh të rrethit, të cilët në pamundësi për të influencuar ndryshimin e vendimit, paralajmëruan distancimin nga aktet e selisë rozë, ku sipas të cilëve veprimi i duhur është largimi përfundimtar prej saj, përpara zgjedhjeve të 2013-ës.
L. Q.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›