Qeveria u shpall luftë plehrave: Shkarkim vendorëve që nuk pastrojnë deri tek heqje e pronës personale
Me tone të ashpra, kryeministri ka shpallur një betejë të re, atë kundër plehrave. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, ai tha se ekzekutivi do përdorë të gjithë forcën e tij për të zgjidhur këtë problem. Ai premtoi masa që nga shkarkimi i vendorëve e deri tek heqje e pronës personale.
Kjo verë ka shënuar kulmin e flukseve turistike në vend. Ishte një sukses i madh për ekonominë e vendit dhe për vendin në tërësi. Por unë do të ndalem tek një plagë shumë e rëndë, ajo e plehrave. Ky është një fenomen nga i cili ne duhet të ndahemi. Ndaj dhe qeveria do hartojë një plan shumë të gjerë. Pres vendimin për ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri. U bëj thirrje mësuesve, mjekëve, qytetarëve, ta bëjnë çështje kryesore këtë. Pse ta shëmtojmë mjedisin tonë? Nuk ka vend më të bukur në hartën e tokës se Shqipëria dhe ne e shkarravisim me plehra. Kryetarët e komunës dhe bashkive do shkarkohen nëse nuk marrin masa për mirëmbajtjen e territorit të tyre. Detyra e parë e çdo amvise është të pastrojë shtëpinë. Ndaj dhe ligji do amendohet. Ata nuk kanë detyrë më të rëndësishme se këtë, që të pastrojnë territorin. Shko në zonat më të bukura të këtij vendi, mahnitesh, kthen sytë, të dalin plehrat në të katër anët. Ndaj dhe ligji dhe tërë masat shtrënguese deri tek heqja e pronës personale do merren. Duhet bërë një punë edukative e gjithanshme në shoqëri. Shkolla është shumë e domosdoshme të japë edukimin e nevojshëm. Kemi 500 mijë fëmijë, duhet ti bëjmë promotorë të një Shqipërie tjetër. Nuk mund tu mësohet më shumë atyre sesa mjedisi i pastër. Këtë papastërti nuk e kemi në shtëpi, nuk e kemi në restorante, por e kemi tek pragu i derës. Qeveria do persistojë me të gjithë forcën e ekzekutivit për ta shpëtuar vendin nga ky problem, tha Berisha.