Kundër radarit turko-amerikan
Irani ka kritikuar të hënën Turqinë për shkak të pajtimit të saj që brenda territorit turk të vendosen elementë të caktuar të mburojës atiraketore amerikane, ngase ata “nuk do ta përmirësojnë stabilitetin rajonal”, siç theksoi zëvendësministri i jashtëm iranian, Hasan Gashghavi.
"Irani dhe Turqia janë vende fqinje dhe miqësore, të cilat janë në gjendje që të përkujdesen plotësisht për sigurinë e tyre, pa intervenime nga jashtë”, pohoi ai.
Ministri i Jashtëm turk, Davutoglu, deklaroi javën e kaluar se Ankaraja ka miratuar vendosjen e radarit të NATO’s për paralajmërim, i cili duhet të zbuloj lancimin eventual të raketave drejt Evropës.
NATO dhe SHBA dëshirojnë që vendosin një sistem për pengimin e raketave, për shkak të rrezikut në rritje nga kërcënimi me raketa të diapazonit të shkurtër dhe të mesëm nga Lindja e Mesme, e veçanërisht nga Irani.
Kritikat e Iranit ndaj Turqisë janë të rralla, sepse Teherani është afruar ekonomikisht dhe politikisht me Ankaranë, e cila është distancuar nga sanksionet perëndimore kundër Iranit, për shkak të programit të tij bërthamor.