Paralajmërohet arrestimi i Nikoliçit nëse hyn pa leje në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, mund të arrestohet nga Policia e Kosovës nëse vendos që të hyjë në territorin e Kosovës pa marrë leje paraprakisht nga qeveria e Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe për situatën nëse ai shfrytëzon rrugët ilegale për të hyrë në Kosovë.
Një paralajmërim të tillë e ka dhënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. “Kushdo që hyn pa leje në vendin tonë rrezikon që të ndeshet me ligjet tona dhe të arrestohet. Nuk kemi dëshirë që të vihet deri tek pozita e presidentit të Serbisë, mirëpo ligji është i barabartë për të gjithë”, ka numri dy i qeverisë kosovare, njofton “Koha Ditore”.
Ai ka thënë se sikur Nikoliç duhet ta dorëzojë kërkesën për vizitë në Kosovë te Zyra e Bashkimit Evropian në Beograd, më pas qeveria e Kosovës do ta shqyrtonte atë.
“Ne e kemi një marrëveshje me BE-në në raport me këto vizita, në anën tjetër, duhet që të ndiqen të gjitha procedurat dhe ne do ta shqyrtojmë duke marrë parasysh interesin e vendit, Kushtetutën dhe ligjet tona”, ka thënë Kuçi.
Burime të “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se presidenti serb ka shprehur interesimin e tij për të vizituar veriun e Kosovës në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.