E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pergjaket Kandahari nga dy sulme vetevrasese

Dy sulme vetëvrasëse kanë marrë jetën e të pakten 22 personave në Kandahar të Afganistanit. Shpërthimet ndodhën në një treg në afërsi të aeroportit, zonë ku kalojnë shpesh edhe kamionet me furnizime për forcat e NATO-s, pasi një bazë e rëndesishme e trupave të aleancës ndodhet aty prane. Të paktën 50 persona mbetën të plagosur si pasojë e sulmeve. Përgjegjësinë e shpërthimit e morën talebanët. Kandahari njihet si qendër e aktivitetit të besnikëve të regjimit të përmbysur radikal islamik. Zyrtarët vendas, bënë me dije se të gjithë të vrarët ishin civilë, përfshi këtu tregtarë të zonës e kalimtarë të rastit. Disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

Kamikazi i parë ishte me motorcikletë e goditi një varg kamionësh me furnizime që prisnin në radhë pranë aeroportit të Kandaharit. Disa minuta më vonë, kur një turmë njerëzish ishin mbledhur në vendngjarje, mbërriti dhe i dyti, i cili mbante në trup një brez me eksplozivë. Sulmet e dyfishta janë një fenomen thuajse i zakontë për Irakun, por tepër i rrallë në Afganistan. Kandahari eshte pergjakur, i tha BBC-së një lider fisnor. Vdekjet e së mërkurës e bëjnë këtë ditën më të përgjakshme prej javësh të tëra në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›