E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërohet protestë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Nga Express më 06 mars 2011 në ora 20:39

Me rastin e 100-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, anëtaret e Grupit Koordinues për Siguri dhe Çështje Gjinore, do të organizojnë një varg aktivitetesh duke filluar nga 7 marsi deri më 11 mars.

8 Marsi shënohet si Ditë Ndërkombëtare e Gruas, me ç’rast organizohen evenimente të ndryshme anembanë globit për të shënuar të arriturat ekonomike, politike dhe sociale të grave.

Në këtë ditë veprimtaria e Grupit Koordinues për Siguri dhe Çështje Gjinore do t’i kushtohet shëndetit të grave me ç`rast do të ndërmerren veprime për vetëdijesimin e opinionit publik lidhur me shëndetin e grave në Kosovë.

Të hënën, duke filluar nga ora 11.00 deri në 14.00, Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri OSBE së bashku me Grupin Koordinues për Siguri dhe Çështje Gjinore do të organizojë gara me automjete për simulimin e kushteve atmosferike.

Më 8 mars, në ora 12.00 do të mbahet protestë para Teatrit Kombëtar me moton “Në 100-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, kërkojmë sigurim dhe shërbime cilësore shëndetësore”, si dhe do të hapet një ekspozitë, në të cilën do të ekspozohen pikturat e artisteve kosovare.

Më 11 mars, duke filluar nga ora 10.30 në hotel “Afa” bëhet inaugurimi i UNWOMEN, Entiteti i Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore dhe fuqizim të grave, i cili në vitin 2010 është krijuar nga Asambleja e Përgjithshme.

Grupi Koordinues për Siguri dhe Çështje Gjinore përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, Policisë së Kosovës, Agjencisë për Barazi Gjinore, Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Zyrës së Kryeministrit, Zyrës së Zëvendëskryeministrit, organizatave të grave dhe organizatave ndërkombëtare OSBE, NATO dhe OKB.

Ky grup synon të përmirësojë koordinimin dhe këmbimin e informatave mes organizatave ndërkombëtare dhe vendore që punojnë në çështje të sigurisë dhe të promovojë veprimet e përbashkëta strategjike që kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë për gratë e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›