Parandalimi i përmbytjeve, Shqipëria e Mali i Zi nisin punën
Prezantohen studimet për situatën ujore në zonat e nën Shkodrës dhe të Ulqinit që kanë si qëllim parandalimin e përmbytjeve në këto zona. Parandalimi i përmbytjeve dhe përmirësimi i infrastrukturës ujore në zonën përreth liqenit të Shkodrës ka qenë qëllimi kryesor i një takimi ndërministror që u zhvillua në Budva të Malit të Zi me 19 mars. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatori, z. Genc Ruli dhe ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu dhe stafet respektive janë takuar me z. Tarzan Milosevic, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Malit të Zi. Në këto takime, ka pasur prezantime të studimeve që janë bërë së fundmi për situatën ujore në zonat e nën Shkodrës dhe Ulqinit. Në fjalën e mbajtur gjatë diskutimeve në këtë takim që kishte dhe formën e workshop-it, ministri Fatmir Mediu tha se tanimë të dy vendet po punojnë së bashku për të mos lejuar më që të ndodhin katastrofa ujore. Ndërsa Ministri Ruli u shpreh se qeveria shqiptare dhe ministria e Bujqësisë kanë mbështetur teknikisht dhe financiarisht të gjitha studimet dhe ndërhyrjet që janë bërë në diga, argjinatura dhe pastrimin dhe thellimin e kanaleve të kullimit në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Një ndër mesazhet kryesore që u përcoll në takimin me Tarzan Milosevic, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Malit të Zi ishte ai për të ecur bashkarisht në projektet që synojnë dhe shmangin rreziqet nga vërshimet e ujrave.
Një ndër prezantimet e specialistëve ishte "Vlerësimi i Përgjithshëm dhe Studim për Menaxhimin e Rrezikut të Vërshimeve (përmbytjeve)" ku prezantuan tre fazat e ndërhyrjes. Në këtë studim janë marrë parasysh të dhëna të shumta që kanë nisur me ato për lumenjtë dhe liqenet, shkarkimet e tyre dhe kanalet e kullimit.