Qeveria mbyll piramidat, dosjet kalojnë te Financat
Ndarja e parave të përfituara nga shitja e pasurive, 10 vite afat.
Shkrihet grupi i mbikëqyrjes, afatet e reja për kreditorët.
Qeveria ka vendosur të mbyllë njëherë e mirë kapitullin me skemat piramidale. Përmes një vendimi të miratuar në mbledhjen e djeshme, Ekzekutivi ka vendosur që të shpërndajë grupin mbikëqyrës që merrej me këtë pjesë dhe gjithçka tashmë do ti kalojë Ministrisë së Financave. Shpërndarja e parave do të jetë një proces i gjatë në vijim, që përfshin plot 10 vjet të tjerë.
Vendimi
Vendimi i qeverisë përcakton se dokumentacioni dhe gjithë të dhënat për bilancet e shoqërive apo të ashtuquajturave piramida, do të kalojnë tek administratori që do të emërohet nga ministri i Financave. Pranë kësaj ministrie do të çohet edhe një pasqyrë e saktë e të gjitha objekteve dhe pasurive të paluajtshme që nuk janë shitur. Administratorit do ti lindë detyra që të përgatisë, së bashku me grupin e tij të ndihmës, për shitje të të gjitha aseteve të paluajtshme dhe ta dërgojë në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave pranë Ministrisë së Financave. Të gjitha këto detaje parashikohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave të marrë në dorëzim, për shitje, dokumentacionin e të gjitha aseteve të paluajtshme të subjekteve, objekt i këtij ligji, dhe të zhvillojë procedurat e shitjes në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të ardhurat nga shitja të derdhen në llogaritë e subjekteve të kontrollit, të vëna në dispozicion nga administratori, thuhet në vendimin e qeverisë. Pas plot gjashtë muajsh nga marrja e detyrës, administratori do të duhet që të japë një panoramë të qartë mbi situatën.
Shpërndarja e parave
Qeveria ka përcaktuar se mënyra e shpërndarjes së parave nga koeficienti te skema apo radha e shpërndarjes do të përcaktohen me një urdhër të ministrit të Financave. Do të jetë pikërisht kjo ministri që do të ketë tanimë rolin kyç në gjithë këtë proces për shpërndarjen e përfitimeve që janë gjeneruar apo do të gjenerohen në vijim. Fondet që janë të depozituara në bankën e nivelit të dytë, e cila po realizon pagesat e kreditorëve të shoqërive, do të jenë në dispozicion të këtyre të fundit për një periudhë 5-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Pas këtij afati, të gjitha mjetet monetare të patërhequra do të depozitohen në një llogari të veçantë, të hapur nga Ministria e Financave, në një bankë të nivelit të dytë, thuhet në vendimin e qeverisë. Në të përcaktohet se gjithë personat përfitues apo trashëgimtarët e ligjshëm të tyre mund të kërkojnë pranë Ministrisë së Financave kalimin në llogarinë e tyre personale të shumave takuese, duke paraqitur dokumentacionin që vërteton të drejtat e tyre. Kjo e drejtë përfundon dhe parashkruhet me kalimin e afatit prej 10 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sqarohet në vendim.
Gjyqet
Vendimi i miratuar dje në qeveri përcakton gjithashtu edhe mënyrën se si do të veprohet me proceset gjyqësore në vijim. Të gjitha proceset gjyqësore në ngarkim të debitorëve të shoqërive, subjekt kontrolli, do të vijojnë të ndiqen nga administratori, i cili do të kryejë edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, deri në momentin që veprimtaria e tij do të vazhdojë, përcakton vendimi.
NERTILA MAHO