E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndragheta”Urdhër-arresti për Liliana Kondakçiun dhe 9 shqiptarë të tjerë

Agjencia italiane e lajmeve ANSA njoftoi dje se në operacionin e koduar “Shkodra” ishte shkatërruar një organizatë e trafikut të drogës në varësi të “Ndragheta”-s dhe janë arrestuar 10 shqiptarë e disa italianë e rumunë. ANSA bën të ditur se veç të arrestuarve janë prerë disa fletë arresti, ndër të cilat ndodhet edhe emri i këngëtares Liliana Kondakçi. Kjo e fundit ka mohuar kategorikisht përfshirjen, ndërsa është shfaqur në një televizion shqiptar

Një grup mafioz prej 24 vetash, i drejtuar nga organizata mafioze italiane “Ndragheta” në trafikun e lëndëve narkotike, është goditur ditën e djeshme nga policia italiane, ndërsa 10 prej të arrestuarve janë shqiptarë. Ndërkohë hetuesit italianë, sipas agjencisë ANSA, kanë prerë edhe një fletë arresti për këngëtaren e njohur shqiptare, Liliana Kondakçi. Vetë artistja, në një prononcim për një televizion, ka deklaruar se ajo nuk është e përfshirë në këtë grup dhe se nuk ka probleme me drejtësinë italiane dhe që shumë shpejt e gjithë kjo do të sqarohej.

Ditën e djeshme “Guardia di Finanza” kreu një operacion kryesisht në Kalabri dhe në rajonet e tjera të Italisë, që përfundoi me arrestimin e 24 personave, të cilët bënin pjesë në një organizatë që drejtonte trafikun e drogës që vinte nga Shqipëria, që më pas shitej në tregun italian dhe evropian.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, organizata kishte si pjesëtarë italianë, shqiptarë dhe rumunë që vepronin në kontakt të ngushtë me mafien vendase.

Në krye të grupit, sipas akuzës, ishte Saverio Magliaro, 58 vjeç, i cili sipas burimeve mediatike italiane, kishte ndërtuar një raport ekskluziviteti në furnizimin e substancave narkotike që vinin nga Shqipëria dhe kryesisht nga Shkodra.

Sipas agjencisë italiane ANSA, e cila i referohej burimeve policore, si persona të cilët kishin influencën më të madhe të këtij trafiku ishin vëllezërit Smalji nga Shkodra.

Policia italiane ka bërë të ditur se qendra e përpunimit të drogës që vinte nga Shqipëria ishte në Altomonte, ku janë zbuluar disa apartamente ku grumbullohej dhe përpunohej droga përpara se të dilte në tregun italian.

Ndërkohë mediat italiane, që i referohen policisë, thonë se këngëtarja shqiptare, Liljana Kondakçi, dyshohet se është pjesë e këtij rrjeti të mirëorganizuar droge. Madje, banda e njihte atë dhe me emër të koduar. Ajo thërritej “La mamma”, ose shqip “mamaja”. Për Kondakçiun është prerë edhe një urdhër-arrest. Sipas hetuesve italianë, popullariteti që ajo gëzonte në Shqipëri ka qenë mjeti më i fortë që ka përdorur këngëtarja shqiptare, për të trafikuar lëndë narkotike. Agjencia e lajmeve ANSA bën të ditur se Liljana Kondakçiu është një nga të hetuarit e operacionit të kryer mëngjesin e së premtes nga “Guardia di Finanza”. Në këtë operacion përfunduan në pranga 20 persona, mes të cilëve shumë shqiptarë. Kondakçi është burgosur edhe më parë në kuadrin e hetimeve të majit të 2006 në stacionin hekurudhor të Sibarit, ku sapo kishte arritur nga Shqipëria, nëpërmjet Barit. Në çantën e saj u gjetën plot 3.3 kg heroinë, por më vonë ajo u la e lirë dhe u cilësua e papërfshirë në këtë rast. Ndërkohë përgjimet telefonike nga ana e policisë italiane, të cilave u referohet agjencia e lajmeve ANSA, dëshmojnë se Liljana Kondakçi është personi i njohur mes anëtarëve të grupit si “la mamma”, shqip “mamaja”, ose “këngëtarja”.

Shqiptarët e përfshirë, sipas agjencisë italiane ANSA:

Liljana Kondakçi, 56 vjeç, me pseudonimin “mamaja” ose “këngëtarja”;

Bashkim Kubazecaj, 32 vjeç, i lindur në Shkodër dhe banues në Villapiana, me pseudonimin “flokëgjati”;

Luan Kubazecaj, 35 vjeç, banues në Trebisacë, me pseudonimin “ai i Las Vegasit”;

Albert Mesiti, 28 vjeç, me pseudonimin “Marko”;

Elvis Metvelaj, 24 vjeç, banues në Trebisace, me pseudonimin “majmuni”;

Rodon Rexhepi, 28 vjeç;

Fisnik Smajlaj, 35 vjeç, me pseudonimin “tullaci”;

Sajmir Ujkaj, 33 vjeç;

Gential Ulqini, 25 vjeç, banues në Trebisaçe, me pseudonimin “Astriti”;

Gentian Hamzaraj, 30 vjeç.

Detaj

24 është numri i personave të arrestuar nga policia italiane

10 shqiptarë janë pjesë e organizatës që trafikonte drogë

Reagon Kondakçiu: Unë, jo pjesë e trafikut të drogës

Këngëtarja shqiptare, Liljana Kondakçi, ka përgënjeshtruar akuzat se ajo është pjesë e një bande trafiku të drogës. Sipas saj, lajmet që vijnë nga vendi fqinj se ajo rezulton anëtare e një grupi trafikantësh të lëndëve narkotike dhe se për këtë arsye është prerë dhe një urdhër arresti, janë të pavërteta. Artistja shqiptare ka deklaruar në media se ajo “nuk ka probleme me drejtësinë italiane. Lajmi se për mua është prerë një urdhër arresti nuk është i vërtetë”. Ky lajm është sqaruar para dy vite e gjysmë më parë. Tani unë nuk e kuptoj se përse del. Pasi unë kam dalë si zonjë me të gjitha rregullat e duhura dhe procedurat italiane. Në Shqipëri kam rreth 2 e vite e gjysmë, mos më tepër që qëndroj. Nuk e di se për çfarë hetimesh bëhet fjalë përderisa unë kam dalë e rregullt dhe e pafajshme, unë jam në rregull dhe nuk kam pasur arsye të mendoj se do të vazhdojnë hetimet”. Këngëtarja nuk ka arritur të bëjë një lidhje me përfshirjen e emrit të saj sërish në hetimet e policisë italiane në trafikun e drogës.

Itali, banda italo-shqiptare drejtohej nga “Ndragheta”

Banda italo-shqiptare, e cila u shkatërrua ditën e djeshme nga policia italiane, drejtohej nga organizata mafioze italiane “Ndragheta”. “Guardia di Finanza” arrestoi ditën e djeshme 24 persona. Nga karabinierët italianë u pre një urdhër arresti edhe për 10 shqiptarë. Personat e akuzuar dyshohet se janë pjesë e një organizate që drejtonte trafikun e drogës, të ardhur nga Shqipëria dhe me destinacion tregun italian dhe evropian. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, organizata përbëhej nga italianë, shqiptarë, dhe rumunë, të cilët operonin në bashkëpunim të ngushtë me “Ndragheta”-n. Sipas akuzës, në krye të kësaj organizate ishte Saveria Magliaro, 58 vjeç, i cilësuar nga hetuesit si kreu i padiskutueshëm i trafiqeve të lëndëve narkotike në Itali. Prej vitesh, sipas akuzës, kishte ndërtuar një raport ekskluziviteti në furnizimin me lëndë narkotike që vinte nga Shqipëria. Sipas policisë italiane, Magliari mund të mbështetej në raportin e fortë që kishte me familjen Smajli në qytetin e Shkodrës. Asnjë sasi droge që vinte nga Shqipëria nuk mund të futej në tregun kalabrez pa kaluar më parë nga Altomonte. Magliari, sipas akuzës, ishte dominuesi i tregut narkotik në bregdetin verior të Kalabrisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›