Parandalohet vrasja ne Tirane

Dy persona kanë rënë në pranga, ndërsa policia sekuestroi një pistoletë “T T”. Ka qenë një informacion i ardhur në kohën e duhur për një grindje që kishte nisur pranë “Stacionit të Trenit”, që ka vënë në lëvizje patrullat e policisë.
Në momentin e mbërritjes patrullat kanë konstatuar përfshirjen e 5 personave në grindje. Me të mbërritur policia personat janë shpërndarë, ndërsa patrullat kanë ndjekur, Adrian Mzhikën dhe Edvin Brahimajn respektivisht 20 dhe 21 vjeç, për të cilët kishte informacione se ishin të armatosur.
Këta të fundit kanë braktisur edhe mjetin e tyre tip “Benz” në vendngjarje dhe kanë tentuar të largohen në drejtim të Brrakës. Pranë shkollës “7 Marsi” ata janë ndaluar nga policia. Sipas burimeve pistoleta i është gjetur Mzhikës.
Uniformat blu shoqëruan edhe 3 vëllezërit Besim, Andi dhe Renato Leti, me të cilët po grindeshin Mzhika dhe Brahimaj. Të njëjtat burime thanë se të rinjtë janë grindur edhe një muaj më parë në Mat dhe pasditen e të shtunës ishin takuar me pretekstin sqarimit.
Informacionet e policisë flisnin për një plan për të qëlluar me armë ndaj vëllezërve Leti në rast se të rinjtë do të grindeshin sërish.