“Parandaluam një rast korruptiv, diferenca mes garuesve ishte 21 milionë euro”

Interkonjeksioni - flet ministri Ridvan Bode
Debati politik për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë u zhvillua edhe në seancën e radhës plenare. Deputetet e opozitës shfrytëzuan diskutimin mbi projektrezolutën e Autoritetit të Konkurrencës, për të bërë akuza për këtë tender.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe në këtë rast po favorizohen vetëm firma serbe dhe një proces si i tillë shkel konkurrencën e lirë. Por, sipas ministrit Bode, në rastin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë u parandalua një rast korruptiv, pasi diferenca mes dy garuesve ishte 21 milionë euro.
Sipas tij, opozita është duke spekuluar me shifrat dhe me faktet. “Lidhur me debatin për tenderin për ndërtimin e linjës 400 kë të intekonjeksionit Tiranë-Prishtinë, sqaroj se çmimi i ofruar nga kompania e parë në krahasim me atë të vendit të dytë është 24 për qind më e lartë. Me të drejtë nëse do ta pranonim si fituese këtë kompani do të na ngriheshin akuza për korrupsion”, tha ministri Bode.
Sipas Bodes, akuzat e ngritura nga opozita e implikojnë atë. “Këtë tender e kemi marrë ne, por në një tender ku diferenca ndaj garuesve është 24 për qind çdo kush ka të drejtë të pyesë. Ne parandaluam një rast korruptiv. Dhe në vend që opozita, në vend të thoshte faleminderit, të paktën duhet të heshtte. Si ka mundësi që kërkoni këtë. Nuk është ndershmëri kjo. Pasi ne kemi të drejtë të akuzojmë edhe për interesa okulte nga opozita shqiptare”, theksoi Bode. “Banka gjermane KfW duhej të njoftonte me ligj kompaninë shqiptare për përzgjedhjen e kompanisë fituese, por në fakt nuk e ka njoftuar”, tha kreu i Financave.
Gjatë punimeve të seancës plenare kur po diskutohej projekt-rezoluta për “Autoritetin e Konkurrencës”, deputetët e PS-së akuzuan sërish qeverinë për bllokimin e projektit Tiranë-Prishtinë.
Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, kërkoi nga institucionet investigimin e kësaj çështje, pasi, sipas tij, kjo i kalon kufijtë e një tenderi. Ai ka theksuar se bllokimi i linjës së interkonjeksionit nuk kanë të bëjë me interesat kombëtare, por me interesat korruptive të qeverisë.