E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Ruçit: Bëhuni burra, mbetët duke qarë e duke thënë “na rrahu Jozefina”

20-04-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca-opozitës: Kërkoni mocion në Kuvend - s’do lejojmë bllokimin
e zgjedhjes së Presidentit
 
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi ka deklaruar se përpjekja e opozitës për të bllokuar miratimin e anëtarit të KLD-së është dështimi i radhës i kësaj të fundit në betejat e saj parlamentare.
Duke folur në seancën e djeshme plenare, Patozi theksoi se seanca e kaluar shtoi edhe një etapë tjetër të shëmtuar në CV e Partisë Socialiste. “Partia Socialiste vërtetoi dështimin e radhës në betejat e saj parlamentare. Edhe në rrafshin etik, seanca e shkuar iu shtoi në CV një tjetër etapë të shëmtuar që është përpjekja për të bllokuar me dhunë votimin e një anëtari të KLD-së”, u shpreh Patozi.
Ai ka theksuar se nëse opozita kërkon të rrëzojë qeverinë duhet të kërkojë mocion mosbesimi dhe jo të pengojë seancën plenare.
“Për të rrëzuar një qeveri nëse e kishin ndërmend seancën e shkuar ka nevojë për këllqe që opozita nuk i ka. Së dyti opozita duhet të dijë që jo gjithmonë mund ta rrëzojë qeverinë por ka votimi të posaçme dhe unë e ftoj opozitës që të bëjë mocion mosbesimi. Ose kërkoni votëbesim ose heshti këto dy mënyra keni”, tha Patozi.
Ai theksoi se Partia Socialiste ka fobi ndaj votës së fshehtë ndërsa e ka cilësuar reagimin e opozitës në sallë si fyese për çdo deputet.
“Fobia që ju keni ndaj firmave, ndaj votës së fshehtë nuk është një gjë që ju nderon. Unë mendoj që është fyese për çdo deputet që ne ti trajtojmë procedurat sikur jemi në një kazino. Ne jemi deputetë dhe jemi në sallën e Kuvendit që është tempulli i demokracisë”, theksoi deputeti demokrat.
Sipas Patozit, socialistët po i kushtojnë kësaj çështje një vëmendje të tepruar.
“I kam thënë zotit Ruçi të enjten e shkuar: ‘nuk jemi duke zgjedhur Papën e Romës, jemi duke zgjedhur një anëtar të KLD-së, ndaj nuk ka nevojë për kaq shumë zhurmë’. Zoti Ruçi e bëri votimin e fshehtë sikur është zhdukur fare nga salla e Parlamentit dhe sikur është e vetmja mënyrë votimi në këtë Parlament. Pse keni frikë nga vota? Pse keni frikë nga komisionet, pse keni frikë nga kutitë? Unë nuk kam frikë të votoj dhe ta deklaroj votën time. Pse ju zoti Ruçi e keni kaq merak votimin e fshehtë? Dëshiroj edhe një herë të ftoj deputetët e opozitës t`i kthehen logjikës. Ndryshe, në rast se do përsërisni shfaqje të tilla, do vini qershorin e ardhshëm edhe më të lodhur seç jeni”, përfundoi Patozi.
 
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
Më pas ka qenë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cila ka marrë fjalën ndërsa ka shtuar se votimi i Elvis Cefës ishte dështimi i radhës i socialistëve. “Radhën e kaluar ju firmosët dështimin tuaj të fundit. Humbët në 2009 nga shqiptarët, humbja tjetër e Ramës është ajo e zgjedhjeve në 2011, ndërsa humbja më e rëndë është ajo personalja në zgjedhjet lokale, kjo më e turpshmja, pasi u numërua çdo kuti në mënyrë transparente”, tha Topalli.
Kryetarja e Parlamentit tha se mazhoranca nuk do të lejojë që opozita të pengojë zgjedhjen e presidentit. “Zoti Ruçi mos qani duke thënë ju rrahu Jozefina. Turp t’ju vijë. Bëni mocion mosbesimi dhe do ta shihni, jo një herë por shumë herë. Po të doni me kuti, me fletë votimi, me elektronikë, sa herë ta provoni do ta shihni veten të humbur dhe të turpëruar. Sa i takon herës tjetër. Kur humbni nuk pranoni votën, kur shihni se nuk i keni votat vidhni. E dini se nuk zgjidhni presidentin dhe sot deklaroni se nuk do t’ju lejojmë të zgjidhni presidentin gaboheni. Do humbni. Kryetari juaj nuk e pranon parlamentin. Kryetari juaj nuk pranon ligj, kushtetutë”, tha më tej kryetarja e Kuvendit.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›