E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Taksa progresive rezultoi e dështuar, shanse për ndërtimin e TAP janë reale

20-04-2012 / Gazeta 55

Konferenca e biznesit organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj
 
Në konferencën e biznesit të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA), në kuadër të çeljes së Panairit të Burimeve Natyrore në Shqipëri, kryeministri Sali Berisha tha se Shqipëria është vetëm në agun e shfrytëzimit të potencialeve të saj të mëdha natyrore dhe shndërrimi i tyre në vlera për qytetarët shqiptarë mbetet qëllimi parësor i qeverisë shqiptare.
Kryeministri ftoi biznesin e huaj për të investuar në një vend i cili sipas tij, ofron burime të mëdha hidrokarburesh por edhe energjie.
“Shqipëria është një vend i vogël, por një vend i vogël me mundësi të mëdha. Shqipëria, në këtë rajon, nga vitin 2006-2011 ka shënuar një rritje prej 316 për qind të investimeve të huaja, sipas UNCTAD-it; nga viti 2006-2011 ka trefishuar eksportet. Shqipëria është vetëm në agun e shfrytëzimit të potencialeve të saj të mëdha. Natyrisht, një nga potencialet më të mëdha të këtij vendi, fatmirësisht, është potenciali energjetik. Ne kemi një shans të zhvillohemi në mënyrë jeshile e të qëndrueshme dhe e vërteta është se në Shqipëri ka një veprimtari të ethshme në fushën e energjisë së rinovueshme. Në 4-5 vitet e fundit, qeveria ka firmosur me sektorin privat 120 kontrata koncesionesh, për ndërtimin e 320 hidrocentraleve. Me të drejtë, ju folët për hidrocentralit e Ashtës, por dua t’ju informoj se këtë vit hapet tenderi për kaskadën e Devollit, i cili është investim prej 1 miliardë euro. Po këtë vit janë në treg kaskada e Osumit dhe do të jetë edhe ajo e Vjosës që është padyshim një nga kaskadat më të mira të rajonit. Shqipëria në vetvete është një Norvegji e vogël në Ballkan, një vend i pasur me burime të panumërta ujore, që e bëjnë prodhimin e energjisë ujore jashtëzakonisht të leverdishëm në kohë piku dhe  e vendosur përballë një prej tregjeve më të uritura të Europës, ai italian. Ndaj konsiderata për të investuar në këtë fushë janë konsiderata shumë serioze. Pak kohë më parë, një nga presidentët e kompanisë kryesore energjetike franceze do të më thoshte se në projektet e saj, Shqipëria është një basen i mrekullueshëm energjetik në rajon. Shqipëria është vendi më me diell i rajonit. Shqipëria disponon platforma  ere ndër më të fuqishmet. Ndaj unë vlerësoj shumë që së bashku të bëjmë gjithçka për zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Shqipëria ka rezervat e saj të hidrokarbureve. Para një muaji prita përfaqësuesit e Shell, që ishte larguar në vitin 2004 dhe u rikthye tani. Më treguan se në një konferencë ndërkombëtare i kishin pyetur përse po shkonin në Shqipëri dhe ata i ishin përgjigjur se po kthehemi në Shqipëri se aty gjendet fusha më e madhe e naftës në kontinentin europian. Shqipëria është realisht një vend i pa eksploruar në tërë gjerësinë e saj, ndaj ka interes të madh për hidrokarburet në Shqipëri”, u shpreh Berisha. 
Duke shprehur edhe një herë ambicien që gazsjellësit TAP të kalojë nëpërmjet Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha ka garantuar se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka që vendi ynë të jetë përfituese e projektit që do të tranzitojë gaz nga Azerbajxhani drejt Europës. “Ju jeni të informuar se shanset që nëpër Shqipëri të kalojë projekti më i madh i Europës në këtë dekadë, South Stream, janë reale dhe vijnë gjithnjë e më shumë në ngjitje. Konsorciumi që disponon fushën e Shah Deniz 2 vendosi dy ditë më parë që të investojë 4 miliardë eurot e para në këtë fushë, me qëllim nxjerrjen e gazit. Së pari, falë pozicionit gjeografik të këtij vendi, ngado që të imagjinohet, nuk ka rrugë a trajektore më fizibël se trajektorja në territorin shqiptar. Së dyti, Shqipëria ofron depozita natyrore gazi gjigande, në platformat e saj të Dumresë e platforma të tjera. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që del. Natyrisht, ne jemi një treg modest, Greqia është një treg më i madh se ne, Italia është treg i përmasave të mëdha, por pjesën tonë ne do ta përmbushim me përgjegjësinë më të lartë, në rast se vendimi merret për TAP si përzgjedhje përfundimtare, ndonëse ky është një proces që ende nuk ka përfunduar”.
Kryeministri vuri në dukje se liria fiskale është një gur i çmuar për investitorët e huaj, ndërsa i garantoi ata se qeveria do vazhdojë me politikat e saj në uljen e taksave. Kreu i qeverisë sulmoi sërish propozimin e socialistëve për taksë progresive.
Sipas Berishës, taksa progresive është një realitet i dështuar dhe si i tillë s’do aplikohet kurrë në Shqipëri.
“Shqipëria ka vendosur regjimin fiskal më të favorshëm. Këto javë vendosëm të heqim çdo lloj takse për makineritë që do të importohen për prodhim. Do të ketë një procedurë burokratike që garanton instalimin  tyre në fabrikat për të cilat destinohen dhe jo të shndërrohen në destinacione të tjera, por investitori nuk do të ketë asnjë lloj detyrimi TVSH-je apo të tjera. Sot ka një debat në botë mbi taksat e ulëta dhe taksat e larta. Është e dhimbshme të dëgjosh përsëri thirrje për taksa progresive. Ju garantoj se një nga shkaqet madhore të krizës së sotme botërore financiare dhe ekonomike kanë qenë taksat e larta. Kjo krizë nuk erdhi në një botë me taksa të ulëta. Kjo krizë erdhi në vendet me taksa të larta. Ndaj ne nuk kemi ndërmend të rrisim taksat, e kundërta, ne po mendojmë të ndërmarrin hapa të tjerë për të lehtësuar barrën fiskale ndaj jush, për zgjeruar lirinë tuaj fiskale dhe ekonomike. Ne besojmë se të gjitha resurset e mëdha që kemi janë të çmuara, por më e çmuar se çdo gjë tjetër për zhvillimin e këtij vendi është liria juaj dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e zgjerimin e saj”, tha kryeministri Berisha.
Kryeministri solli edhe një herë në vëmendje çështjen “Albpetrol”, duke deklaruar se kompania e naftës është në proces privatizimi dhe se kompanisë fitues do i jepet edhe e drejta e shfrytëzimit. “Në privatizim është Albpetroli, një privatizim i shkallës më të thellë. Ne jemi të vendosur të shesim jo vetëm aksionet e ato që kemi në të gjitha kompanitë, por edhe të drejtën e eksplorimit dhe të shfrytëzimit sipërmarrësit që do të marrë Albpetrolin”, tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›