E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet cilët vjedhin votat në parlament - gardisti i Ramës kapet me presh në duar duke votuar për Bizhgën

20-04-2012 / Gazeta 55

Në një votim parlamentar, deputeti socialist Arben Çuko ka shkelur butonin e votës në vend të Gazmir Bizhgës, i cili s’ishte i pranishëm. Ruçi as u skuq e as u zverdh nga vjedhja e votës, duke e konfirmuar se e quajnë normë tjetërsimin e votës, njëlloj si me 3 fitoret e Ramës në bashkinë e Tiranës
 
Krahas debateve mazhorancë-opozitë, seanca e djeshme plenare ka patur dhe episode të çuditshme. Është i njohur fakti që socialistët vuajnë nga kompleksi i mungesës së votës-shumicë në Kuvend dhe si i tillë presioni psikologjik është i jashtëzakonshëm nga mesazhet e panumërta që vijnë nga celulari i Edi Ramës.
Gjatë votimit të një projektligji në Kuvend, deputeti socialist Arben Çuko, krahas votës së tij, voton edhe në emër të kolegut Gazmir Bizhga. Por, ky veprim u pikas menjëherë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila e cilësoi si tentativë për të manipuluar votimin. “Po vidhni votat në seancë plenare dhe në sy të të gjithëve”, tha Topalli, duke kërkuar nga sekretaria heqjen e kartës së deputetit Bizhga.
Në konkluzion të gjitha debateve parlamentare që nisën me akuzat e opozitës ndaj mazhorancës për manipulime votimesh, si për ironi të fatit u desh që socialistët të bënin autogol, kur deputeti i tyre Gazmir Bizhga rezultoi votues në projekt-ligjin e parë, ndonëse ai mungonte në seancë. Madje autogoli vjen i dyfishtë, pasi socialistët rrëzuan vetë pretendimin që ngritën në seancën e shkuar se duhej hedhur në votim edhe Ardian Visha, pas Elvis Çefës.
Gjatë votimit të fshehtë me elektronikë të kësaj të enjteje për 4 kandidatura për dy vende në Autoritetin e Konkurrencës, në votim nuk u hodhën të katër kandidatët. U votuan vetëm kandidatët e parë për secilin vend dhe jo të dytët, pasi të parët morën shumicën e votave.
Kjo do të thotë së socialistët që kësaj herë çuan në këtë bord edhe një kandidat të tyrin pohuan ligjshmërinë e këtij votimi, për rrjedhojë edhe atë për Elvis Çefën, i cili mori shumicën e votave.
Në dy vendet vakante në Autoritetin e Konkurrencës u zgjodhën me shumicë votash Iva Zajmi propozim i demokratëve dhe Koço Broka propozim i socialistëve

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›