E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paranojat e Ekremit

Ditë më parë zëri i filmit “Kodi i jetës”, të regjisorit Ekrem Kryeziu, është vjedhur. “Mjeshtrit të tonit, Blerim Kromës i është vjedhur kompjuteri dhe hard disku”, shpjegon Kryeziu për Express.

Mirëpo, fati i mirë për Kryeziun ishte që zëri i filmit të tij është ruajtur edhe në dy vende tjera.

Por, regjisori Kryeziu dyshon shumë që vjedhja e zërit të filmit të tij qenka një komplot që ta pengojë xhirimet e filmit që bën fjalë për luftën në Kosovë.

Ai, thotë se vjedhës të mundshëm janë shërbimet sekrete.

Kryeziu nuk vë gisht se cili shërbim sekret është mirëpo shton se kjo vjedhje nuk është ordinere.

“Po mendoj që dreqi dhe fatkeqi sillet në Kosovë dhe është e mundur që dikujt i ka penguar dhe ka dashtë me i kushtu ky film Ekremit”, thotë ai.

Kryeziu shton se po të mos i kishte pasur dy rezerva, atëherë kjo humbje do t’i kishte kushtuar 100 mijë euro.

“Nuk dua ta trajtoj si një vjedhje të rëndomtë, ndonëse secili shërbim sekret veprimet e veta i bazon si me qenë vjedhje ordinare”, shtoi ai.

Mos është paranojë kjo e juaja?

“Është mundur të jetë paranojë, për arsye se nuk është moderne të merresh me probleme të luftës dhe çështje kombëtare dhe vetëm ata të cilët janë paranoik si qifti im ende merret dhe një paranoik i tillë është normale të mendojë që këtë e kanë bërë shërbimet sekrete që nuk ia duan të mirën Kosovës”, thotë Kryeziu.
Kryeziu mendon se pista e hetimit të kësaj vjedhje duhet të drejtohet në dyshimin e mundur se atë që e kanë vjedhur kompjuterin e tonistit të jenë shërbimet sekrete.

“Ende mendoj se duhet ta qesim edhe këtë pistë”, tha ai.

Po kush vallë e vodhi tonin e zërit të filmit që trajton çështje kombëtare? Ta ketë bërë CIA? Mosadi? KGB? Jo more, mbase UDB-ja? Se veç ata dinë të na dëmtojnë kështu! Po valla! Po nejse, se del AIK-u (SHIK-u) tash edhe ia rimerr, ia pik! Edhe kështu, duke ia shpëtuar fytyrën regjisorit paranoik, shpëtojmë edhe ne si vend.

Ky skenar, si fiksion paranoik, mund të jetë edhe më i mirë për një film të ardhshëm. Qoftë edhe në stilin ‘partizan-gjerman’: AIK-u kundër UDB-së! Futë të zezë do t’i bëjmë!

Po hipotezat nuk mbarojnë me kaq. Se kushedi, edhe nëse e kanë bërë shërbimet sekrete, mund të jetë dikush tjetër mbrapa tyre. Për shembull, xhelozia e artistëve. Kjo është diçka e njohur, tipike për natyrën e të mëdhenjve. Ndoshta ndonjë regjisor i Holliwoodit, duke iu frikësuar konkurrencës së papërballueshme të Ekremit për çmime dhe fitime, e ka paguar ndonjë shërbim për ta vjedhur Ekremin. Ose ndoshta s’kemi pse shkojmë aq larg. Se këtë kanë mundur ta bëjnë regjisorët kosovarë. Xhelozë janë këta! Inatçinj! Turlifarë të zeze bëjnë dhe e fshehin dorën!

Sidoqoftë, kaq me paranojat dhe hipotezat. Sepse filmi “Kodi Jetës” po i vazhdon xhirimet e tij, ndërsa sipas Kryeziut edhe gjatë verës do të ketë xhirime.
Premiera e filmit, sipas tij, pritet të jepet në nëntor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›