Indeksi i Lirive Ekonomike, Shqipëria përmirëson 13 vende
Renditet në vendin e 57, nga 186 vende të botës
Liria ekonomike në Shqipëri është rritur ndjeshëm përgjatë viti 2011. Në raportin më të fundit të Fondacionit “Heritage Foundation”, mbi “Indeksin e Lirisë Ekonomike për vitin 2012”, vendi ynë renditet mes 26 vendeve në Europë, për lirinë ekonomike mbi mesataren botërore dhe në kategorinë “shumë të lartë”.
Niveli i lirisë në zhvillimin e sektorëve ekonomikë ka shkuar 1,1 pikë më lartë se viti 2010, mbi të gjitha thuhet në raport, falë përmirësimeve të regjistruara në luftën kundër korrupsionit dhe në lirinë e të bërit biznes.
Më tej në raport vlerësohen masat e marra nga qeveria shqiptare në ndihmë të biznesit.
Së pari lexohet në raport, vendi ka ushtruar një presion fiskal të konkurrueshëm, një taksë të ulët me 10 për qind mbi biznesin dhe mbi të gjitha vendi ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike e cila ka kontribuar në reduktimin e varfërisë dhe papunësisë. Efikasiteti i sistemit rregullator shkruhet në raport është lehtësuar nga një thjeshtim i mëtejshëm i procedurave të të bërit biznes. Gjithashtu flitet edhe për një rritje të investimeve të huaja direkte gjatë viteve të fundit.
Për sa u takon tarifave doganore të tregtisë, mesatarja qëndron në 5.1 për qind.
Gjithashtu raportohet se në Shqipëri, kërkesat për marrjen e një licence janë të ulëta, qeveria nuk ka vendosur taksa mbi eksportet. Kompanitë e huaja dhe kombëtare janë trajtuar në të njëjtën mënyrë përpara ligjit. Pjesa më e madhe e bankave në vend janë të huaja, por sistemi bankar ka përfituar një konkurrueshmëri të lartë.
Në raportin e “Heritage”, Shqipëria për këtë vit është ngjitur me 13 vende më lartë se viti i kaluar, duke lënë pas kështu shumë vende të botës, Europës dhe Ballkanit. Këtë vit, Franca, Italia, Portugalia, Bullgaria, Rumania, Turqia, Sllovenia Mali i Zi, por edhe disa prej vendeve me ekonomi emergjente si Brazili apo Rusia, klasifikohen poshtë mesatares botërore.
Në pesë vendet e para nga 179 vendet e marra në studim, klasifikohet Hong Kongu, Singapori, Australia, Zelanda e re dhe Zvicra.
Nga vendet evropiane Irlanda kryeson renditjen e ndjekur nga Danimarka, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda. Gjermania dhe Franca renditen përkatësisht në vendin e 26-të dhe 67-të. Ndërsa Italia reflekton dukshëm problemet ekonomike, teksa renditet në vendin e 92-të, nga 184 vende të botës.
Indeksi i Lirisë Ekonomike, publikohet çdo fillim viti nga kompania prestigjoze e kërkimeve ekonomike amerikane “Heritage Foundation”, në bashkëpunim me të përditshmen “The Wall Street Journal”.