Ministri i Brendshëm dhe i Kulturës i Konfederatës së Zvicrës pret në Panairin e Gjenevës, publicistin dhe shkrimtarin Fahri Balliu
Gjatë takimit, eksponenti e qeverisë së Konfederatës mirëpriti ekspozenë e shkrimtarit Balliu për monografinë “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, si një histori e rolit të poshtër, por edhe të rëndësishëm, që kishte luajtur në diktaturën më të egër të Evropës, bashkëshortja dhe eminenca gri e diktatorit Hoxha
Dje në Gjenevë është çelur Panairi i 24-t i Librit dhe i Shtypit, ngjarja kulturore më e rëndësishmja në Zvicër dhe një nga takimet më të lakmuara në të gjithë botën e artit dhe të letrave në Evropë. Në ditën e parë të Panairit, i ftuari personal i themeluesit dhe presidentit të Panairit, intelektualit të mirënjohur Pierre-Marcel Favre, ka qenë publicisti dhe shkrimtari Fahri Balliu, emri i të cilit është mjaft i njohur për lexuesit në gjuhën frënge, nga përkthimi i monografisë së tij best-seller “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”.
Gjatë ceremonisë së hapjes, publicisti dhe shkrimtari Fahri Balliu është takuar me këshilltarin federal (ministrin) Didider Burkhalter, i cili mbulon çështjet e brendshme, të sigurisë, por edhe ato të kulturës e posaçërisht të librit. Në bisedë, ministri Burkhalter u interesua për publikimin më të fundit në frëngjisht të publicistit Balliu. Botuesi i “55”-s në ekspozenë e tij, i ka shpjeguar njërit prej eksponentëve më të rëndësishëm të qeverisë federale zvicerane se “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” ishte shkruar si një histori e shkurtër e diktaturës komuniste, si një histori e rolit të poshtër e të rëndësishëm që kishte luajtur në këtë diktaturë bashkëshortja dhe eminenca gri e diktatorit, që për më shumë se katër dekada i la shqiptarët nën regjimin më të egër të diktaturave në Evropë. Gjatë takimit, ministri Didider Burkhalter shoqërohej nga bashkëshortja e tij dhe që të dy mirëpritën dhuratën e publicistit Balliu, monografinë në frëngjisht “La femme du diable”.
Ministri Didider Burkhalter zëvendëson në postin e rëndësishëm të këshillit prej shtatë vetash që luan rolin e qeverisë së Konfederatës të mirënjohurin Pascal Cauchepin, i cili dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, dhe vlerësohet sipas revistës “L’Illustre” si ministri me përkrahjen më të lartë të publikut, sipas sondazhit në shifrën e 92 përqind të të anketuarve.
Salloni i Librit në Gjenevë është një aktivitet i përvitshëm, i cili sivjet regjistroi edicionin e 24-të të tij dhe regjistron një rekord vizitorësh prej më shumë se 100 mijë syresh. Në panairin e sivjetëm morën pjesë mbi 700 shtëpi botuese dhe ente të shtypit periodik nga e gjithë bota, ndërkohë që një seksion i veçantë sivjet i ishte kushtuar letërsisë dhe artit të Suedisë.