E Diel, 1 Nëntor 2026

Parashikime pesimiste për fluturimet. Ekspertët: Një verë paqartësish të mëdha

Hiri Dje, për shkak të fenomenit, u mbyllën përkohësisht aeroportet e Irlandës

Hiri i vullkanit të Islandës ka kërcënuar dje sërish hapësirën ajrore të Europës, duke shtrënguar kështu ndalimin e pjesshëm të fluturimeve nëpër aeroportet e Irlandës dhe disa ishuj të Atlantikut Verior. Për to, kjo është hera e parë e mbylljes pas 12 ditëve, që nga rihapja e zonave ajrore të fluturimeve në të gjithë kontinentin. Ndërkaq po shtohet gjithnjë e më shumë numri i ekspertëve, të cilët paralajmërojnë një verë problematike për sa u përket fluturimeve në qiejt e Europës, për shkak të tekave të hirit të vullkanit islandez. Në Bruksel, Bashkimi Europian ka organizuar një mbledhje tjetër të ministrave të Transporteve të vendeve të BE-së, për të parë se cilat janë masat që duhet të merren në rast të një erupsioni tjetër të vullkanit islandez, që sipas të gjitha gjasave do të mbyllte përsëri hapësirat ajrore të kontinentit si masë sigurie për pasagjerët. Bëhet fjalë këtë herë për përpjekje që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit të kontrollit ajror, në mënyrë që veprimet në këtë zonë të bëhen më të koordinuara, veçanërisht në rastet e situatave ekstreme, siç ishte ajo e dy javëve më parë. Gjermania dhe Franca kanë kërkuar rregulla më të forta dhe më të vendosura në lidhje me vendimet e mbylljeve, por edhe hapjeve të hapësirave ajrore, për shkak të problemeve me hirin. Avionët dhe aeroportet janë ankuar shumë gjatë periudhës së krizës për shkak të mungesës së koordinimit gjatë ditëve që ajo zgjati. Gjatë 5 ditëve të ndalim fluturimit u anuluan 100 mijë fluturime dhe 10 milionë udhëtarë pësuan një çorganizim të madh. Ndërkaq, parashikimet nuk janë fort të mira edhe për periudhën në vazhdim. Sipas vullkanologëve, vullkani që solli probleme në hapësirën ajrore të Europës mund të ketë erupsione të tjera dhe kjo do t’i vinte të gjitha autoritetet që kanë të bëjnë me fluturimin në një pozicion sërish të vështirë përballë humbjeve të mëdha dhe protestave të shoqërive të fluturimit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›