Bonot e thesarit bien në 8.13 për qind
Interesat e bonove me afat maturimi 12 muaj të qeverisë shqiptare, në ankandin e fundit të zhvilluar dje në Bankën e Shqipërisë u ulën me 22 pikë bazë, në krahasim me ankandin paraardhës. Interesi mesatar i ponderuar ra në 8.13 për qind, interesi më i ulët i shënuar që para fillimit të krizës financiare ndërkombëtare. Arsyeja e rënies së interesave lidhet me likuiditetin e lartë të krijuar nëpër banka për shkak të rritjes së shpejtë të depozitave gjatë dy muajve të fundit. Qeveria pati kërkuar 6.6 miliardë lekë borxhe 12-mujore, por oferta e bankave qe e mjaftueshme për të mbuluar dyfishin e kërkesës së qeverisë.
Interesat e bonove 3-mujore u ulën në 5.9 për qind, duke shënuar për herë të parë në një vit interes më të ulët se 6 për qind. Tre muaj më parë, bonot 12-mujore qenë shitur për 8.91 për qind, ndërsa ato tremujore qenë shitur për 6.29 për qind. Qeveria shqiptare ka planifikuar të shlyejë 35.7 miliardë lekë interesa (rreth 350 milionë dollarë) për borxhin e brendshëm gjatë vitit 2010. Rënia e interesave të bonove redukton kështu në mënyrë të ndjeshme koston e borxhit për buxhetin e shtetit.
Likuiditet i lartëDepozitat në sistemin bankar shqiptar u rritën me 8.9 miliardë lekë gjatë muajit mars, në krahasim me shkurtin, ndërkohë që kreditë u rritën me vetëm 2.1 miliardë lekë. Rritja shumë e shpejtë e depozitave në krahasim me kreditë, bëri që bankat të rrisnin interesin për blerjen e bonove të thesarit të qeverisë, gjë që solli edhe presion për uljen e interesave.
#