Qeveria: Regjistrimi në dhomat e tregtisë, jo më i detyrueshëm
Bizneset nuk do të jenë më të detyruara të regjistrohen në dhomat e tregtisë, sikundër e përcaktonte ligji. Duke u nisur nga shumë probleme të hasura dhe kundërshtimet nga vetë bizneset ndaj zbatimit të nenit 6, "Anëtarësia" në ligjin "Për dhomat e tregtisë dhe industrisë", Këshilli i Ministrave ka sjellë për miratim në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat disa ndryshime të ligjit. Burime nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë, institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e Dhomave të Tregtisë, shprehen se me ligjin në fjalë, i cili ka pësuar ndryshime në fundin e 2006, u ndërmorën reforma rrënjësore për rregullimin e veprimtarisë së dhomave të tregtisë dhe industrisë, reformë e cila shënoi gjatë vitit 2007 një hap cilësor në këtë veprimtari. Por, përveç rezultateve pozitive të kësaj reforme gjatë vitit 2007, u vërejtën edhe disa probleme, për sa i përket anëtarësisë së biznesit në dhoma. Në nenin 6 të ligjit në fuqi është përcaktuar që anëtarësia në dhoma të jetë e detyrueshme për të gjitha bizneset, të regjistruar si persona juridikë në regjistrin tregtar dhe vullnetarë për persona fizikë (kryesisht biznesi i vogël). Në relacion thuhet se kjo dispozitë e ligjit është kundërshtuar vazhdimisht nga një pjesë e madhe e komunitetit të biznesit, pasi i detyrojnë ata të krijojnë një bashkim jovullnetar, duke paguar çdo vit kuotat e anëtarësisë, që sipas madhësisë së biznesit aktualisht variojnë nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në vit, pra një kosto fikse vjetore jo e vogël për biznesin. Në këtë mënyrë, për bërjen e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë një bashkësi vullnetare të gjithëpranuar nga komuniteti i biznesit, në këtë projektvendim propozohet të hiqet anëtarësia e detyrueshme në këto dhoma. Biznesi do të mund të anëtarësohet kështu në dhomë vetëm nëse e sheh me interes anëtarësimin për veprimtarinë e tij, nëse dhoma i ofron shërbimet që atij i nevojiten. Heqja e anëtarësisë së detyrueshme do të sjellë një rezultat pozitiv për cilësinë e shërbimeve që do të ofrojë dhoma, pasi kjo e fundit do të përballet me konkurrencën e të gjitha shoqatave përfaqësuese të biznesit që operojnë sot në treg. Më konkretisht, paragrafi i parë i nenit 6 përcakton anëtarësinë vullnetare për të gjithë personat fizikë apo juridikë, të regjistruar në regjistrin tregtar sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa në paragrafin e dytë hiqet miratimi i organit mbikëqyrës për masën e kuotës së anëtarësisë, duke u lënë më shumë autonomi dhomave në vendimmarrje. Hiqet gjithashtu paragrafi i fundit i nenit 6, si rrjedhojë e ndryshimit të paragrafit të parë të këtij neni.
Projektligji në fjalë nuk shkakton ndikime financiare në buxhetin e shtetit, pasi dhomat nuk marrin financime nga ky i fundit. Gjatë vitit 2007 u regjistruan 1400 biznese, të mëdha e të vogla, ndërsa në tre muajt e parë të 2008, pranë dhomave të tregtisë janë regjistruar 1700 të tilla.
Projektligji në fjalë nuk shkakton ndikime financiare në buxhetin e shtetit, pasi dhomat nuk marrin financime nga ky i fundit. Gjatë vitit 2007 u regjistruan 1400 biznese, të mëdha e të vogla, ndërsa në tre muajt e parë të 2008, pranë dhomave të tregtisë janë regjistruar 1700 të tilla.