Aplikimi për kredi, bankat shfaqin mungesë informacioni ndaj klientëve
Një tjetër çështje po aq e rëndësishme është informacioni që bankat duhet t‘u përcjellin klientëve, në mënyrë që vendimmarrja për të marrë kredi të jetë sa më optimale. Për këtë, kreu i Bankës Qendrore paraqiti dyshime se bankat e nivelit të dytë nuk po paraqiten ashtu sikurse e parashikon rregulloja: të jesh transparent me klientin. "Transparenca përbën një çështje që e kam prekur sistematikisht këto kohët e fundit. Më duhet të pranoj se ka progres, por mendoj se hendeku në këtë drejtim është ende i madh. Duke e vënë veten në rolin e një individi që do të konsumojë produkte apo shërbime bankare, do të shtroj pyetjen: Sa e lehtë është për mua që të orientohem saktë dhe shpejt për alternativën më të mirë? Po kështu, si depozitues, sa të lehtë e kam për të mësuar rreth gjendjes financiare të bankës time? Cila është banka që ofron komisionet më të leverdishme? Për të gjitha këto, bankat duhet të jenë të sigurta nëse klientët arrijnë të kuptojnë që shumë prej ofertave që bëjnë aktualisht janë me përfitime të përkohshme, pasi në një kohë të dytë kushtet e tyre ndryshojnë", iu drejtua Fullani drejtuesve të bankave, të pranishëm në forum, i cili do të pasohet me dy të tjerë gjatë vitit. Sipas tij, duke marrë shkak nga kriza e tregjeve financiare në Amerikë, edhe pse diku në kontratat që bankat firmosnin me individët e thjeshtë ishte pjesa specifike për kushtet e kredisë, ata në pjesën dërrmuese nuk kishin dijeni për to. Për Bankën Qendrore konsiderohet i rëndësishëm fakti se nëse rregullohen çështjet e përmendura më lart, sistemi bankar do të jetë më i mbrojtur. "Mendoj se sistemi bankar duhet të investojë më shumë në burime njerëzore dhe në infrastrukturën e përshtatshme për të njohur dhe administruar drejt rreziqet e veprimtarisë", përfundoi guvernatori.