Basha: Policia të kthehet në një portë të hapur për qytetarët
TIRANE - Bashkëpunimi i policisë me qytetarët dhe autoritetet e Pushtetit Vendor, është konsideruar dje nga kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmuth Lohan, si mënyra më e mirë për Sigurinë Kombëtare. Të njëjtin mendim, por duke ndalur edhe në bashkëpunimin e punonjësve të policisë me punonjësit socialë, ka ndarë me z.Lohan edhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, në konferencën kombëtare për Sigurinë në Komunitet. Ndër të tjera Basha parashtroi disa detyra të veçanta për rikonceptimin e punës së policisë së Shtetit në bazë të strategjisë së policimit në komunitet. "Të rikonceptojmë të gjitha komisariatet e policisë anembanë vendit jo si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por në radhë të parë si qendra pritjeje për qytetarët me të gjitha lehtësitë, ku qytetari të ndihet i mirëpritur nëse vjen për të denoncuar një shkelje apo për të paraqitur një problem", u shpreh Basha. Ndërkohë kreu i Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes policisë dhe autoriteteve të pushtetit vendor, duke e paraqitur edhe si një ftesë të qartë të mbështetur nga Komuniteti Evropian. "Dua t'ju ftoj që të vendosni mbi çdo gjë tjetër sigurinë e komunitetit, ta vendosni këtë siguri mbi të gjitha debatet apo diskutimet politike që mund të keni në zonat e qeverisjes vendore", deklaroi ambasadori Lohan, duke nënvizuar se bashkëpunimi për të zgjidhur shqetësimet e përbashkëta ndihmon në arritjen e zgjidhjeve praktike dhe krijon një mjedis të sigurt për bizneset, si dhe ekonominë e vendit. e.d