Policët kosovarë të pakënaqur, kërkojnë rritje page 100 për qind
Njësi speciale të Policisë së Kosovës kanë shprehur sërish pakënaqësitë ndaj mosrealizimit të kërkesave të tyre. Ata kanë kërkuar që për këtë çështje të mblidhet edhe Kuvendi. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë zotuar se do t’i shqyrtojnë kërkesat e policisë, por për moentin nuk kanë premtuar asgjë. Moszbatimi i Ligjit për Policinë e Kosovës, mosrritja 100 për qind e pagave bazë, si dhe mos ndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, kanë shtyrë më shumë se katërmbëdhjetë njësi speciale të Policisë së Kosovës t’i shprehin pakënaqësitë e tyre edhe sot, duke mos punuar. Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara të policisë ka lëshuar një komunikatë për media, ku i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë të mblidhet dhe t’i shqyrtojë kërkesat e policëve.
Maqedoni, përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike
Pas paralajmërimeve nga deputetët shqiptarë dhe të opozitës, duket se në Maqedoni janë përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike. Këto konstatime vijnë edhe pas thirrjeve nga përfaqësues ndërkombëtarë se Maqedonia mund të përfshihet nga një situatë jo e qëndrueshme nëse nuk bën përpara në rrugën e integrimeve. Pyetja që bëhet aktualisht në Maqedoni është nëse janë përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike dhe në çfarë niveli?
Deputetët e parlamentit nga radhët e opozitës maqedonase dhe partive shqiptare shprehen se situata është shqetësuese. Shkak siç thuhet janë disa ndërmarrje që kanë vulë qeveritare, si enciklopedia maqedonase që përshkruante shqiptarët me epitetet ofenduese, nisma për ndërtimin e kishës në sheshin e Shkupit, por jo edhe të xhamisë, së fundmi mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë edhe pse ligji parashikon që kjo të bëhet nga klasa e katërt.
Ukrainë
Timoshenko akuzon Janukoviç para balotazhit
Kryeministria e Ukrainës Julia Timoshenko akuzon rivalin e saj Viktor Janukoviç se po përpiqet të vjedhë zgjedhjet presidenciale të balotazhit të cilat u zhvilluan në të dielën duke nxitur ndryshime në ligjin elektoral përmes parlamentit. Ndryshimi nga Partia e Rajoneve e zotit Janukoviç heq kërkesat për të njëjtin numër përfaqësuesish nga të dy kandidatët për të qenë pjesë e komisioneve lokale zgjedhore kur të numërohen votat. Timoshenko tha se nëse Jushçenko i firmos ndryshime në ligj, kjo do të ishte fundi i zgjedhjeve të drejta në Ukrainë.
5 Shkurt 2010