E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e padeklaruara, policia ka bllokuar 370 mijë euro

Janë ndaluar 12 persona që kalonin paratë duke iu shmangur kontrollit të autoriteteve shtetërore

Policia e Rinasit ka bllokuar në 12 operacione 300 mijë euro dhe 85 mijë dollarë, para këto të padeklaruara nga personat që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. Plot 12 persona janë ndaluar, pyetur rreth aktivitetit të tyre dhe faktit se përse ata synonin kalimin e parave të tyre dhe shmangien nga kontrolli i autoriteteve shtetërore. Duke marrë shkas nga këto raste Policia Kufitare dhe e Migracionit u bën thirrje të gjithë subjekteve dhe personave privatë të ndjekin dhe zbatojnë rregullat për deklarimin e parave në pikat e kalimit kufitar. Nëse iu referohemi statistikave të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, 10 operacione për kapjen e personave, që tentojnë kalimin e parave të padeklaruara, i takojnë vitit 2009, ndërsa 2 prej tyre i përkasin tre muajve të parë të këtij viti. Si rastet më pikante përmenden ndalimet e shtetasit Erjon Bojaxhi, në fund të vitit të kaluar dhe Ervis Xhekës më 20 mars të këtij viti. Në rastin e parë policia e kufirit sekuestroi 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë amerikanë, ndërsa në të dytin 70 mijë euro.

Operacionet

Një nga rastet kur policia kufitare ka kapur sasi të mëdha parash të padeklaruara i takon 16 nëntorit të vitit të kaluar, kur në Rinas u ndalua një tregtar me para të dyshuara kontrabandë. Personi nuk i kishte deklaruar paratë që kishte me vete, por ato iu gjetën pas një kontrolli fizik që bënë uniformat blu të pikës së kalimit kufitar. Në njoftimin për media shkruhej se Policia Kufitare dhe Migracionit në Rinas kishte kapur në flagrancë shtetasin Erjon Bojaxhi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. “Ky person u kap gjatë momenteve të transportimit të shumës prej 200 mijë eurosh, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë amerikanë, me qëllim kalimin e tyre dhe shmangien nga kontrolli i autoriteteve shtetërore”, thuhej në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë.
Më 20 mars të këtij viti, një shtetas shqiptar, i cili ishte prezantuar si tregtar nga Durrësi, u ndalua në Rinas me 70 mijë euro teksa tentonte të udhëtonte drejt Gjermanisë. Ervis Xheka kishte prerë biletën dhe ishte bërë gati për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Strukturat e hetimit të krimit në Rinas, që janë në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kufirit, kishin marrë informacion në rrugë operative se ai kishte me vete rreth 70 mijë euro, që nuk i kishte deklaruar në organet kompetente të doganës. Menjëherë është bërë bllokimi i tij dhe është shoqëruar në ambientet policore. Uniformat blu kanë ushtruar një kontroll fizik të personit, por nuk kanë harruar të hedhin edhe një vështrim në çantën që mbante me vete. Pikërisht në çantë i janë gjetur 70 mijë euro, që nuk i kishte deklaruar sipas ligjeve në fuqi. Në këto momente është bërë bllokimi i parave, ndërkohë që oficeri i policisë e ka marrë në pyetje në lidhje me destinacionin e tyre. 31-vjeçari kishte deklaruar se ishte tregtar dhe do të udhëtonte drejt Gjermanisë. Megjithatë nuk kishte dhënë shpjegime se për çfarë do t'i shpenzonte këto para dhe me çfarë biznesi merrej, duke lënë shteg për dyshimet e policisë, që nuk e ka lejuar t’i marrë paratë, duke ia bllokuar dhe e ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë. Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë bëri me dije se materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore dhe se pak pasi ka dhënë deklaratën, Xheka është lënë sërish i lirë. Sipas deklarimeve të drejtuesve të uniformave blu paratë duhet të ishin bllokuar nga dogana, por atyre u ka shpëtuar ky rast.

Deklarimi

Rrezikon t’i humbasë paratë kushdo që nuk i deklaron ato në pikat e kalimit kufitar. Shtetas shqiptarë dhe të huaj janë dënuar me sekuestro dhe gjobë nga Gjykata e Tiranës kur ata janë kapur në Aeroportin e Rinasit. Në vendimet që togat e zeza kanë dhënë në rastet e ngjashme shkruhet se të pandehurit janë gjetur fajtorë për veprën penale “mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë” parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni ata dënohen me gjobë. Të pandehurit në këto raste hetohen dhe gjykohen në gjendje të lirë. Pas përfundimit të hetimeve prokuroria sjell në gjykatë dosjen penale të të pandehurit, që shpesh deklarojnë se janë biznesmenë, për kryerjen e veprës penale të “mosdeklarimit në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”. Pasi çështja regjistrohet në kryesekretari, hidhet në short elektronik gjyqtari që do ta shqyrtojë dosjen. Përveç gjobës që vihet në këto raste, vendimi i gjykatës përcakton kalimin në pronësi të shtetit rreth shumës së kapur kur personi nuk arrin të bindë togat e zeza për origjinën dhe vendmbërritjen e parave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›