E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidershipi i PD, tre muaj jashtë mandatit

Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar tejkalon mandatet e Topallit, Bodes, Patozit etj.

Lidershipi i Partisë Demokratike mban postet jashtë mandatit prej tre muajsh. Me përjashtim të kryetarit Sali Berisha, drejtuesit e tjerë nuk janë rikonfirmuar zyrtarisht dhe me procedurë të rregullt në detyrat që ushtrojnë. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, struktura e cila duhet ta bëjë këtë veprim nuk është mbledhur dhe as nuk dihet se kur mund të mblidhet. Duket se ndryshimi i statutit dhe heqja e nenit që përcaktonte sa herë mblidhet ky forum e ka lënë tërësisht dhe gjithçka të varur nga axhenda personale e Kryeministrit dhe kryetarit të partisë.

Bllokimi

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur më 14 dhjetor, pasi ishte shtyrë një herë për shkak të një vendimi të kryetarit Berisha. Ishte ky i fundit që ndryshe nga sa kishte deklaruar publikisht, theksoi se një udhëtim i tij në Vatikan e bënte të pamundur mbajtjen e Kuvendit Kombëtar. Më 14 dhjetor u bë e mundur mbledhja e forumit i cili votoi për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe 100 anëtarëve të rinj. Shpallja e rezultatit të votimeve zgjati përtej parashikimeve, ndërsa me bërjen e tij publik u faktua përjashtimi i disa prej figurave kritike ndaj lidershipit të partisë. Prurjet e reja mbizotëruan në forumin e lartë të demokratëve, kryesisht stafi i Kryeministrit në ekzekutiv dhe të kryeparlamentares Jozefina Topalli në Kuvend. Pas dhjetorit, teksa pritej mbledhja e Këshillit, diçka e tillë nuk ndodhi. Drejtuesit demokratë deklaruan si kohë të mbledhjes muajin janar dhe konkretisht fundin e tij. Përmbytjet e ndodhura në Qarkun e Shkodrës çuan te “transferimi” i ministrave në terren dhe askush nuk e kishte mendjen te Këshilli Kombëtar. Një tjetër njoftim i demokratëve ishte se ky forum do të mblidhej në muajin shkurt, por kjo nuk ndodhi as në mars.

Mandatet

Selia blu ka dy nënkryetarë dhe përkatësisht ata janë Jozefina Topalli që mban edhe detyrën e kryeparlamentares; Astrit Patozi i cili është kryetar i grupit parlamentar. Që të dy ndodhen në këto mandate jashtë afatit të tyre statutor, pasi duhet të ishin zëvendësuar ose rizgjedhur në të njëjtën kohë me kryetarin e partisë. I njëjti veprim duhet të ishte kryer edhe për pjesën tjetër të sekretariatit që përbëhet nga: Ridvan Bode, sekretar i përgjithshëm, Ilir Rusmali, sekretar për çështjet Ligjore, Ferdinand Poni, sekretar për pushtetin lokal, Ilir Bano, sekretar i burimeve njerëzore, Flamur Noka, sekretar organizativ, Gent Strazimiri, sekretar për partneritet dhe Edmond Spaho, sekretar për ekonominë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›