Tri qendra të reja sociale në Tiranë
Kujdesi shoqëror
Tri qendra të reja sociale janë parashikuar që të hapen këtë vit nga ana e Bashkisë së Tiranës. Qendra sociale numër 6 “Komuniteti, Familja dhe Fëmijët” do të hapet në njësinë bashkiake nr.5 në kryeqytet. Ndërsa qendra e dytë sociale e pagëzuar me emrin “Të moshuarit aktivë” do të ngrihet në njësinë bashkiake nr.6 në Tiranë. Qendra e tretë sociale do të quhet thjesht “polifunksionale dhe do të ngrihet në ambientet e njësisë bashkiake nr.7 në Tiranë. Nisur edhe nga vetë emri i kësaj të fundit, mendohet që të ofrohen shërbime të disallojshme për banorët e këtij komuniteti. Ngritja e këtyre qendrave është pjesë e programit të kujdesit social dhe solidaritetit për shtresat në nevojë si të moshuar, familje, fëmijë apo të rinj. Sipas hartuesve të këtij programi, ai synon që të sigurojë mbulimin e plotë të nevojave ekonomike dhe sociale të familjeve dhe individëve të qytetit të Tiranës, duke i riintegruar përfituesit në ambientin shoqëror.
Për vitin 2010, ky program është menduar që të financohet me shumën prej rreth 218 milionë lekësh të reja, ose rreth 3 për qind të totalit të shpenzimeve, që vendorët kryeqytetas kanë planifikuar për këtë vit.
Gjithashtu, në programin e kujdesit social, pohojnë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, do të vazhdojë të implementohet skema e ndihmës ekonomike me punë dhe shërbime në komunitet, duke e ofruar këtë ndihmë për rreth 200 familje. Edhe fëmijët e sapolindur do të mbështeten nga fondi social dhe i solidaritetit edhe për vitin 2009 e në vazhdim, nëpërmjet projektit “çeku i bebes”, në shumën prej 30 milionë lekësh.
#