E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarja e arrestuar me Alket Rizain kërkon pafajësi

Blerina Lule, në gjykatë: Do të çmendem nëse nuk më lironi
Emri, fotografia dhe historia e saj u bënë publike veç disa javë më parë në Greqi dhe Shqipëri. Opinioni publik, i etur lexoi ato ditë në faqet e shtypit se në çastin e arrestimit të Alket Rizait dhe së fejuarës së tij, edhe një çift tjetër shqiptarësh është prangosur nga policia greke dhe ditë më vonë është shoqëruar në polici. Emrat e tyre ishin Ervis Stefani dhe Blerina Lule. 25-vjeçarja shqiptare nuk kishte veçse disa muaj që kishte mbërritur në Greqi, kur pasditen e 20 nëntorit të vitit 2009 ka kaluar pragun e burgut të Koridhalosë, e akuzuar për bashkëpunim në një organizatë kriminale. Disa ditë më parë, kjo vajzë e arsimuar, ashtu siç e përshkruajnë burime të policisë greke, ishte arrestuar në flagrancë, duke fjetur në një prej shtëpive ku i fshihej policisë i shumëkërkuari Alket Rizai dhe e dashura e tij Aspasia Mitropia. Në atë shtëpi të fshatit Ano Suli në zonën Gramatiko, Blerina Lule kishte shkuar për vizitë së bashku me të fejuarin e saj, i cili ishte kushëri i keqbërësit shqiptar. “Nëse nuk më nxirrni nga burgu, do të çmendem”, shpërthen ajo pas hekurave të një qelie në burgun më të madh të Greqisë, duke paralajmëruar se burgimi i saj i mëtejshëm mund të shkaktojë pasoja të pariparueshme në shëndetin e saj. Vajza e re ka shfaqur kundërshtimin e saj me një deklaratë prej shumë faqesh të hartuar nga dy avokatët e saj grekë, Sakis Kehajoglu dhe Stathi Mitsokali, në Gjykatën e Apelit. Në këtë lutje ajo kërkon që të dijë se përse është burgosur përderisa nuk ka asnjë element që ta fajësojë si bashkëpunëtore në një veprim penal. “Nuk e kam idenë se përse akuzohem. Akoma edhe ata që akuzohen së bashku me mua janë të panjohur. Nuk kam asnjë lidhje me ta përveç të fejuarit tim. Alket Rizain dhe Aspasia Mitropian i pashë për herë të parë atë ditë që na arrestoi policia”, deklaron ajo. “Të vetmen gjë për të cilën isha në dijeni, kur do shkonim për vizitë në një shtëpi në Gramatiko, ishte fakti që i fejuari im kishte marrë hua një makinë nga një i njohuri i tij, të cilën edhe duhet që t'ia kthente dhe me këtë rast do të hanim së bashku me të dhe gruan e tij. Ai (Alket Rizai) m’u prezantua si Dhimitri dhe gruaja e tij (Aspasia) si Kristina”. Sipas të thënave të 25-vjeçares shqiptare, atë mbrëmje të vizitës së tyre hëngrën dhe pinë të gjithë së bashku. Kur i kërkuan Alket Rizait që t’i çonte deri në rrugën qendrore dhe më pas aty të merrnin një taksi për të shkuar në shtëpinë e tyre, atëherë ai i ftoi të flinin aty atë natë. “Tek të gjithë ju ka ndodhur që të keni shkuar tek një shtëpi miqsh në fundjavë dhe pas darkës t'ju kenë ftuar të flini atje”, u drejtohet ajo gjyqtarëve të Apelit, duke u shpjeguar se jo vetëm që nuk e dinte që “Dhimitri” ishte Alket Rizai, por edhe se gjatë darkës në këtë shtëpi çdo gjë dukej më se normale dhe asgjë nuk të bënte të lindnin dyshime për diçka të paligjshme”. E akuzuara shpjegon se nuk ka asnjë arsye të mbahet e burgosur, përderisa nuk ka kryer asnjë veprim penal, ka dosje të bardhë penale dhe ishte me leje të rregullt qëndrimi në Greqi, ku banonte në shtëpinë e të fejuarit të saj në Pikermi, ndërsa ky qëndrim në burg i ka shkaktuar pasoja të mëdha psikologjike. “Jam në një gjendje të keqe psikologjike. Kushdo mund të kuptojë pozicionin tim, përderisa vetëm ideja që je pas hekurave të burgut dhe nuk ke bërë asgjë është diçka që të çmend. Periudha kohore e paraburgimit deri në gjykimin e çështjes sime është tepër e gjatë dhe mund të sjellë pasoja decizive për shëndetin tim”, deklaron ajo dhe u lutet gjykatësve të mos ndikohen nga emri i Alket Rizait kur të gjykojnë kërkesën e saj. Pika optimiste e kësaj historie është fakti që prokurori i çështjes ka bërë një shpjegim pozitiv (për lirimin nga burgu të Blerina Lules) ndaj Këshillit të Gjykatës, i cili nga ana e tij deri më sot nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Një prej avokatëve të saj, Sakis Kehajoglu, shprehet se arrestimi i saj është i padrejtë, mbajtja e saj në burg sigurisht që kryhet nën ndikimin e emrit të Alket Rizait dhe se beson që dy muaj pas arrestimit, drejtësia greke do ta shohë këtë rast me qartësi dhe logjikë dhe se do t’i rikthejë përsëri asaj lirinë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›