E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valoni: Urrej homoseksualët

Valoni është shprehur tërësisht kundër prirjeve homoseksuale. Ai shprehet me shumë ashpërsi ndërsa thotë edhe se i urren ata. Reagimi i banorëve ka qenë i menjëhershëm. Ata e kundërshtojnë dhe i kërkojnë që ai t’ia thotë haptazi mendimin e tij Klodit Klodi: “Pas leximit të letrës, ndihem i realizuar”

Debatet dhe keqkuptimet nuk kanë të sosur brenda shtëpisë së “Big Brother”. E tillë ka qenë edhe biseda për homoseksualizmin gjatë së cilës Valoni, konkurrenti nga Kosova, ka thënë se i urren ata. Pasi Klodi ka marrë vesh shprehjen e tij, është ndier i fyer dhe ka kërkuar menjëherë sqarim, duke qenë se mbrëmjen kur lexoi letrën, Valoni kishte qarë.

Enxhi: Jam e fiksuar pas Jetmirit

Enxhi i ka treguar Oltës se është e fiksuar pas Jetmirit, i pëlqen shumë dhe merr adrenalinë kur është pranë tij. Olta duket se mbetet e çuditur nga kjo deklaratë dhe i thotë që të ulet me këmbë në tokë. Enxhi shkon në kopsht pranë Jetmirit dhe Kikës dhe duke i rënë bisedës anës e anës, i thotë që ajo po ndjen për herë të dytë diçka shumë të bukur dhe do t’i pëlqente në qoftë se do ta përjetonte vërtet.

Domenika: “Jetmiri nuk e ka të gjatë në ‘Big Brother’”

Domenika, Olta dhe Klodi qëndrojnë ulur në sallon dhe bisedojnë me njëri-tjetrin. Ata flasin fillimisht për veshjen dhe grimin e vajzave dhe më pas nisin thashethemet. Domenika thotë se Valoni ka një sjellje mjaft arrogante. Të njëjtin mendim ka edhe Klodi. Pas disa minutash, Klodi largohet dhe Domenika vazhdon bisedën me Oltën. Tashmë ato bëjnë thashetheme për Jetmirin dhe marrëdhënien e tij me kosovarët e shtëpisë. “Epo u bë dhe labi të zërë tre kosovare”, thotë Domenika dhe të dyja flasin për ndryshimin e pozicionit të Jetmirit kundrejt Kikës dhe banorëve të tjerë në shtëpi. Jetmiri është afruar përsëri me Kikën. Afrimitetin me kosovarët e “Big Brother”, Jetmiri e ka përforcuar me lidhjen e tij me Rezartën dhe shoqërinë e krijuar me Valonin. Vajzat thonë se Jetmiri po bën lojë me ta për të marrë përkrahjen e publikut kosovar. Përveç lojës së Jetmirit, vajzat diskutojnë për eliminimin e së shtunës. Domenika shprehet për Jetmirin që “nuk e ka shumë të gjatë ky, surpriza iu bë, ndoshta e largojnë të shtunën”, sepse sipas saj, ai nuk ka se çfarë të japë më tepër. Dhe më pas shton se ndoshta del Kika këtë javë dhe Jetmiri javës tjetër. Olta i thotë se ndoshta nuk del fare Jetmiri, sepse ai është pozicionuar në atë mënyrë që publiku do të dojë ta shohë më tej.

Erjoni dhe Bertina, bisedë për raportin me Oltën

Të dy të rinjtë dalin jashtë dhe të ulur pranë pishinës, bisedojnë për Oltën dhe raportet e secilit prej tyre me të. Bertina i thotë Erjonit se ajo me Oltën nuk ka marrëdhënie të mira vetëm prej disa shprehjeve ofenduese të thëna nga Olta në dhomën e rrëfimit, të cilat kanë prekur Bertinën. Ajo thotë se Olta shtirej si mike e saj gjatë qëndrimit në shtëpinë e vjetër, por kjo ishte hipokrizi dhe këtë gjë Bertina nuk do që ta pranojë. Erjoni i thotë Bertinës se ai nuk do që të ndërhyjë nëse konflikti i tyre nuk do të jetë për shkak të tij. Ajo i thotë Erjonit se për të nuk kanë rëndësi veprimet që bën Olta, duke u munduar të shkaktojë xhelozi. “Mua nuk më vjen inat me veprimet që ajo bën kundrejt teje, nuk më shqetëson ky fakt. Mua më acaron fakti që Olta më sulmon nëpërmjet teje”, i thotë Bertina, Erjonit. Ai i thotë Bertinës se me Oltën ka pasur vetëm ndjenja shoqërore, por vajza i thotë se përderisa ai në klipet e transmetuara, është vënë në një situatë të tillë për publikun, tregon se ka diçka më tepër sesa shoqëria.

Homoseksualizmi

Disa nga banorët janë ulur në sallon dhe bisedojnë për homoseksualizmin. Duke marrë shkak nga publikimi i prirjeve seksuale të Klodianit gjatë spektaklit, ata nisin të bisedojnë për këtë temë. Enxhi hap bisedën duke pyetur banorët e tjerë nëse u ka ndodhur që të dashurojnë dikë dhe më pas kanë kuptuar se ka qenë homoseksual. Jetmiri i përgjigjet: “Unë nga fshati vij, vetëm për femrat di të flas”. Ada thotë se ajo ka një shoqe në Itali, që më anë të operacioneve ka ndërruar seks nga mashkull në femër. Banorët kureshtarë nisin ta pyesin për të dhe Ada u përgjigjet duke treguar se si e ka arritur këtë gjë mikesha e saj, e cila tashmë punon si modele. Jetmiri thotë se ai është deri diku konservator për sa i përket kësaj çështjeje, ndërsa Valoni shprehet se është totalisht kundër këtyre prirjeve. Teksa Valoni shprehet me ashpërsi kundër homoseksualizmit, banorët e tjerë e kundërshtojnë dhe i kërkojnë që ai t’ia thotë mendimin e tij Klodit në sy. Valoni thotë se ai nuk ia ka thënë, sepse nuk do që Klodi të lëndohet, apo të ndjehet keq. Ada fillon të tregojë se ajo ka pasur një shok të tillë dhe nuk e kishte kuptuar deri në momentin që personi ia kishte deklaruar vetë. Banorët japin opinionet e tyre ku ata që janë kundër thonë se homoseksualizmi është kundër natyrës, ndërsa të tjerët që janë pro thonë se është diçka krejt normale dhe ndjenjat nuk janë të kontrollueshme. Sipas tyre, njeriu duhet të bëjë atë që ndjen, jo atë që të tjerët duan.

Prova e javës

Teksa banorët bisedojnë, Ada vjen në sallon me zarfin e provës së javës dhe ua lexon atë të gjithëve. Prova e javës titullohet “Vitet ‘80” ku banorët do të ndahen në grupe, ku çdo grup mund të merret me një fushë të caktuar si letërsinë e këtyre viteve, pikturën, muzikën, modën dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me kulturën. Këtë herë “Vëllai i Madh” ka vendosur që të jenë vetë banorët ata që do ta ideojnë provën e javës. Atyre u është kërkuar që të shkruajnë disa ide dhe më pas të bëjnë një listë për materialet që do t’u duhen. Kështu pasi lexojnë zarfin banorët fillojnë që të diskutojnë për provën, duke shkëmbyer idetë mes njëri-tjetrit. Pas një kohe të gjatë diskutimesh dhe idesh nga më të ndryshmet, banorët vendosin që ndër të tjera do të luajnë një pjesë teatrale dhe më pas diskutojnë për pjesën e mundshme, rolet që mund të luajnë dhe për materialet që do t’u nevojiten.

Bledi, i mërzitur për raportin me Oltën

Edi e shikon Bledin të menduar dhe e pyet se çfarë ka. Ai i përgjigjet se është i mërzitur, por se nuk ka asnjë lidhje me atë që po mendon ai, për nominimin. Edi e pyet nëse ka lidhje me Oltën dhe ai shprehet se një arsye është ajo. Bledi shprehet se nuk po e kupton sjelljen e saj, pasi ajo po ruhet shumë ose se nuk do ta shfaqë, ose se i kalojnë të tjera mendime në kokë, duke nënkuptuar për ndonjë arsye jashtë shtëpisë. Ai shton se ndoshta nuk ia ka bërë të qartë mjaftueshëm se atij do t’i pëlqente të kishte një lidhje me të dhe ndaj ajo nuk reagon. Edi e këshillon Bledin që t’i shohë me kujdes gjërat e të mos bëjë ato gafat që kanë bërë të tjerët.

Ada dhe Edi, për situatën mes Klodit dhe Valonit

Ada shkëputet prej grupit që po diskuton për Valonin dhe fjalët që ai tha dhe shkon tek Edi dhe Bledi, ku u tregon se çfarë ndodhi, pasi ata nuk ishin prezentë. Ajo i tregon shkurtimisht diskutimin me Valonin për temën mbi homoseksualizmin dhe më pas për fjalët që i tha Klodit dhe reagimin e tij. Ajo mendon se Valoni është shprehur shumë keq, ndërsa Bledi mendon se ai e ka thënë nga papjekuria. Ada shprehet se i vjen keq për Klodin, si në këtë rast, edhe më parë kur të tjerët e ngacmonin për lidhjet me vajzat, pasi ajo e dinte para se të futeshin në shtëpi sepse Klodi ia kishte treguar. Ajo vazhdon të diskutojë me Edin dhe tregon se i tha Klodit që të mos reagojë keq kur ka njerëz që nuk e pranojnë homoseksualizmin, sepse duhen respektuar të dyja mentalitetet. Edi mendon se duhet t’i qëndrojnë më pranë Klodit, pasi ai mund të ndjehet i diskriminuar. Ai shprehet se i vjen keq që Klodi hapi zemrën dhe dikush e përdor këtë si armë për ta luftuar. Ada tregon se mbrëmjen e spektaklit, Valoni u prek dhe qau kur Klodi e tregoi hapur këtë gjë.

Debat mes Valonit dhe Klodit

Komentet për fjalët e Valonit vazhdojnë mes banorëve. Ata shprehen se nuk e kuptojnë se përse ai u prek e ka qarë gjatë spektaklit, kur në të vërtetë nuk i pëlqen këto gjëra. Atyre u duket hipokrizi kjo sjellje e Valonit. Banorët nuk pranojnë që ai u shpreh se i urren homoseksualët, sepse nëse do ishte shprehur që nuk i pranon, situata do ishte krejt ndryshe, pasi do ishte veç një opinion i tij e do pranohej si i gjithë të tjerëve. Ata e këshillojnë Klodin që të mos e marrë shumë keq këtë situatë e të mos e vrasë mendjen për Valonin. Klodi shprehet se do preferonte që të tjerët të mos diskutonin për të kur nuk është prezent, por këtë gjë nuk ua detyron dhe shton se nëse dikush do kishte diçka, të vinte t’ia thoshte vetë. “Atë që desha, qëllimin tim e arrita dhe vetë ndjehem i realizuar”, shprehet Klodi. Diskutimi mbi këtë situatë vazhdon kur banorët mblidhen në dhomën e gjumit dhe fillojnë të sqarohen për ato që kanë thënë. Klodi dhe Valoni debatojnë. Klodi i thotë atij se çfarëdolloj gjëje që të ketë me të, të vijë e t’ia thotë përballë e jo të thotë një fjalë e të largohet sikurse bëri më parë. Valoni ia kthen se as e ofendoi e as një gjë, por vetëm tha se nuk i pëlqen kur dalin kundër vullnetit të Zotit.

Valoni sqarohet me Klodin

Klodi pyet Valonin se përse ai qau natën e spektaklit, erdhi ta pyeste për jetën e tij seksuale dhe përse më pas u shpreh kështu. Valoni i shpjegon se letrën nuk e kishte kuptuar dhe i jep versionin e tij. Klodi nuk e beson dhe këtë gjë e thotë në mënyrë indirekte, duke e ironizuar për gjuhën, por Jetmiri ndërhyn dhe thotë se kjo është e vërtetë, pasi Valoni ka shkuar tek ai për t’ia shpjeguar këtë letër. Klodi ndërhyn dhe i thotë që pse nuk shkoi direkt tek ai, por Miri i tregon se pasi ia shpjegoi, i tha që të shkonte tek ai. Klodi sërish nuk e kupton sjelljen e Valonit, por Enxhi shprehet se jo të gjithë arsyetojnë njësoj dhe ndaj Valoni shkoi tek Miri për t’u sqaruar. “Kjo tregon që unë me Valonin s’mund të kuptohemi dhe e kemi të vështirë të shoqërohemi bashkë”, shprehet Klodi. Enxhi i sqaron se si lindi gjithë keqkuptimi dhe Valoni i sqaron se nuk pati asgjë personale me të. Klodi nuk duket i bindur dhe Miri ndërhyn, duke i thënë se fundja ai është mendimi i Valonit dhe Klodi duhet ta pranojë. “Valoni nuk është i detyruar të të pëlqejë”, thotë ai dhe Klodi ia kthen se Valoni mund të bëjë ç’të dojë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›