Paratë fusin në sherr Berishën dhe Boden
Vështirësitë ekonomike fusin në sherr Kryeministrin Berisha me shefin e tij të Financave, Ridvan Bode. Taksa për doktoraturat në Mjekësi dhe Shkencat Sociale ka përplasur në debat kreun e qeverisë me anëtarin që ka në dorë financat e vendit. Pas një replike me ministrat e Financave dhe Arsimit, kreu i qeverisë ka vendosur përgjysmimin e tarifës se doktoraturës në universitetet publike nga 400 mijë në 200 mijë lekë. Propozimi i Kryeministrit Berisha për përgjysmimin e taksës për tarifat e doktoraturave gjeti kundërshtimin e ministrit të Financave, i cili u shpreh kundër këtij vendimi. Insistimi i Kryeministrit qëndronte në uljen e taksës, për shkakun se "shqiptarët kanë pasur dy modele, një model me taksa të ulëta, që e votuan dhe një model me taksa të larta që e ngujuan me humbje". Berisha analizoi se të gjithë ata që e dëshirojnë një gradë të tillë e kanë të pamundur ta paguajnë tarifën prej 4 milionë lekësh, por për ministrin e Financave, i cili duhet të mendojë ku t‘i gjejë të ardhurat për të rritur pagat e pensionet, apo për të investuar në infrastrukturë, tarifa është fare normale. Berisha analizoi se këtë ulje e bën edhe në emër të premtimeve elektorale për taksa të ulëta, duke marrë si shembull vende si Greqia që, sipas tij, tarifën e doktoraturës e ka zero, por që sërish ka gjetur kundërshtimin e Bodes. Ministri Bode ka qenë i vetmi që për të disatën herë gjatë mbledhjeve të qeverisë, por edhe të grupit parlamentar të PD-së, ka kundërshtuar uljen e tarifave, që përkthen më pak të ardhura në buxhet dhe për rrjedhojë pamundësi për mbajtjen e një tjetër premtimi, atë të rritjes së pagave e pensioneve. "Kartolina" për pensionistët dhe administratën në festat e fundvitit solli përplasjen, e cila mund të konsiderohej si më e madhja mes Berishës dhe Bodes, ku ky i fundit i thotë në mënyrë të hapur që nuk mjafton buxheti për të bërë diçka të tillë dhe ka marrë përgjigje nga Berisha se "gjej ku të duash, ne do shpërndajmë kartolinën e fundvitit për shqiptarët". Një tjetër premtim i Kryeministrit Berisha dje ishte edhe rishikimi për çmimin e patentave. "Çmimi i patentave nuk është se ma mbushi mendjen shumë, por prapë do të shqyrtohet. Duhet të keni parasysh se çdo tarifë duhet të jetë në nivelin më të ulët të mundshëm", tha Berisha.