Sektori i bujqësisë në krizë, prodhimi rritet vetëm me 0.5 për qind
Banka e Shqipërisë ngre sërish shqetësimin rreth ecurisë negative të sektorit të bujqësisë, që ndikohet më shumë edhe nga mungesa e kreditimit. Sipas një studimi të bërë nga BSH-ja, sektori i bujqësisë nuk po i shfrytëzon kapacitet e mundshme për prodhim, i ndikuar nga shumë faktorë. Prodhimi në sektorin e bujqësisë vlerësohet të jetë në rënie për vitin 2009. Bazuar në të dhënat nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, prodhimi bujqësor do të rritet me 0.5 për qind, 4.5 pikë përqindjeje më pak se rritja për vitin 2008, e ndikuar kryesisht nga kontributi negativ i prodhimit të pemëtarisë, rritja vjetore e të cilit është -0.6 për qind. Prodhimi agro-industrial, i cili ka qenë në një prirje rënëse duke filluar që nga tremujori i tretë i vitit 2007, ka shënuar rënie me 7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.