E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë nën dorë, ISKSH vendos penalizimet për mjekët

 

zirina llambro

Penalizime të ashpra për mjekët që marrin para nën dorë në spitalet publike. Për herë të parë, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka vendosur të mos lëshojë pe dhe të përcaktojë qartazi sanksionet. Gjatë takimit të djeshëm, të zhvilluar pikërisht për reformën që po ndërmerret, u bë me dije se kontratat për 39 spitale janë gati. Ato priten të nënshkruhen pas pak ditësh. “Një pikë e rëndësishme e kontratës për të cilën kemi insistuar është përgjegjësia në rast të pagesave informale. Është parashikuar masa me gjobë deri në 2 paga mujore e deri në shkëputje kontrate individuale”, u shpreh Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, një tjetër pikë e rëndësishme është përdorimi i buxhetit të papërdorur në vitin pasardhës nga spitali. “Pra s’do të ketë djegie fondi si dhe ajo çka është më e rëndësishmja, është vendosur përdorimi i të ardhurave dytësore 100% për nevojat e vetë spitalit”, sqaroi Hana. Sa i përket mënyrës së financimit, Drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se me plotësimin e kushteve të parashikuara në vendimin e qeverisë do të tërhiqen edhe fondet. Kështu, me hartimin e protokolleve të mjekimit, miratimin e standardeve të spitaleve dhe treguesve të cilësisë, llogaritjen e kostos, do të shkohet drejt financimit për shërbim, si rruga më e mirë për financimin e spitaleve. Ajo tha gjithashtu se brenda një periudhe të shkurtër, spitalet do të nisin të blejnë vetë medikamentet e nevojshme në bazë të nevojave që kanë dhe ISKSH-ja do të kontrollojë mënyrën e përdorimit të fondeve dhe zbatueshmërinë e ligjit të prokurimeve nga vetë spitalet. Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend, Tritan Shehu, i pranishëm në takim nënvizoi se, “vetë elementi kontratë është shumë i rëndësishëm, pasi fut konceptin e munguar të tregut në shëndetësi”. Ndërsa zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj u shpreh se me këtë hap nis të konkretizohet objektivi i përcaktuar në strategjinë për shëndetësinë. Sipas këtij dokumenti, ISKSH do të jetë financues i vetëm i shërbimeve shëndetësore në vend.

OBSH: Shqiptarët të parët në Evropë për duhanin

Shqipëria renditet e para në Evropë për numrin e duhanpirësve. Këtë pohon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas deklaratës së djeshme të përfaqësuesve të saj, 40% e popullësisë te ne konsumon rregullisht duhanin. Për të zbutur këtë situatë, nevojiten masa konkrete në fushën e shëndetit publik. Në këtë vijë Ministria e Shëndetësisë gjatë takimit që pati me Drejtoreshën e Përgjithshme të OBSH-së në vendin tonë, Margaret Chan, kërkoi mbështetje për shëndetësinë. “Kërkoj mbështetjen tuaj sepse ne po punojmë fort në shumë plane, për të zgjidhur problemet emergjente që shtron shëndetësia jonë dhe në planin e reformave të shumta që ne kemi ndërmarrë. Jemi të vendosur të ecim përpara dhe kërkojmë hapur mbështetjen tuaj, pasi është një çast vendimtar për shëndetësinë tonë”, tha Godo. Gjatë fjalës së saj, drejtuesja e OBSH konfirmoi ndihmën që do të japë kjo organizatë në reformën e shëndëtsisë në vendin tonë. Chan ka theksuar se situata financiare në gjithë botën po vë në një gjendje kritike sistemin shëndetësor në shumë vende. Por sipas saj, projektet për modernizimin e shëndetësisë do të vazhdojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›