E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: Ju lutem aplikoni pas zgjedhjeve

 

Brukseli dhe Tirana përplasen sërish për aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oli Rehn tha dje në një takim me gazetarët, në prag të takimit informal të ministrave të BE-së të Gymnich se Shqipëria duhet ta hedhë këtë hap pas zgjedhjeve. Sipas tij, procesi i 28 qershorit është një test kritik i stabilitetit demokratik të vendit. “Pra, aplikoni kur të jeni me të vërtetë gati dhe mos e bëni vetëm për një veprim politik. Ja pse për shembull për Shqipërinë këshilla ime është: ju lutem mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare, pasi ky proces do të jetë një test kritik i stabilitetit tuaj demokratik”, tha Olli Rehn, Komisioneri Evropian për Zgjerimin e BE-së. Këshilla më e fundit e Komisionerit vjen vetëm një ditë pasi qeveria e kryeministrit çek, Topolanek u rrëzua pas një mocioni të opozitës. Por pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Komunitetit Evropian për kujdes nga ana e Tiranës zyrtare, kjo e fundit duket e vendosur në nismën e saj. Dje në mbrëmje, gjatë një fjale të mbajtur në Forumin e Crans Montanës, kryeministri Berisha theksoi se aplikimi i Shqipërisë do të bëhet shumë shpejt. “Së shpejti do të fillojmë procesin e aplikimit për vend kandidat në Bashkimin Evropian. Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e kanë ratifikuar tashmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, u shpreh kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›