“Ukrainasit” kuqezi: “Barazimi, dështim”
Dy mbrojtësit kosovarë, Debatik Curri e Armend Dallku, të cilët aktivizohen në Ukrainë me Vorskla Poltavën, e konsideruan Hungarinë si një kundërshtar plotësisht të kalueshëm.
CURRI- “Hungaria është i vetmi ekip që na ka bërë dy gola, ndërkohë që nuk na shënoi as Suedia dhe as Portugalia. Mendoj se duhet të jemi 100 për qind të gatshëm për të dhënë maksimumin. Në 90 minutat e takimit duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos pësojmë gol. Gjithmonë ne duhet të jemi në kërkim të golit. Por, këtë le t’ia lëmë fushës ta tregojë. Në ndeshjen e Maltës vuajtëm në mesfushë. Kthimi i Lorik Canës e Altin Lalës, dy lojtarë me më përvojë të madhe, do të jetë një ndihmë e vlefshme. Të gjitha ekipet e mëdha kanë hasur rezistencë në “Qemal Stafa”. Mendoj se Hungaria nuk është një ekip i madh. Barazimin do ta quaja dështim. Humbëm atje, por treguam lojë”.
DALLKU – “Besoj e shpresoj se në këtë ndeshje do ta thyejmë dhe atë tabu të mosshënimit të golit, pasi na mungon ai. Dëmtimi i Beqajt është një lajm i keq për ne, pasi Ariani me formën e tij ka qenë një lojtar vendimtar dhe shpëtimtar. Për fat të mirë, kemi edhe një portier të dytë të mirë, siç është Isli Hidi, që luan në nivele të larta dhe është një nga portierët më të mirë në Ukrainë. Besoj se do të bëjë më të mirën në fushë. Duhet të jemi më agresivë në sulm. Nuk po e gjejmë dot atë njeriun gol. Këtë ndeshje besojmë se do ta thyejmë tabunë e golit. Do të luajmë nga minuta e parë në sulm. Do të jetë një ndeshje e nxehtë. Shpresojmë t’ia dalim mbanë”.
27 Mars 2009