E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parisi në pikturat e Kostandinit

Student në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, rreth viteve ‘80, përmes botimeve franceze të Skiras dhe Flamarios ai mundohej të kuptonte lëvizjen drejt artit modern, kubist dhe abstrakt. Ndërsa përmes filmave francezë do të ngjizte përfytyrimin për qytetin ku artistët në të gjithë botën kanë dashur të ndalen njëherë në jetën e tyre...

Kështu i kujton lidhjet e tij të para me Parisin piktori i njohur nga qyteti i Pogradecit, Anastas Kostandini. Për vite me radhë ai do të ngjiste në telajo ndjesi nga ky qytet dhe kjo kulturë, ndjesi që më 14 mars i ekspozoi në ekspozitën vetjake në qendrën kulturore "Lasgush Poradeci". Ekspozita "Paris 07" u çel në kuadrin e ditëve të Frankofonisë dhe në të janë ekspozuar rreth 50 punime të ndryshme, peizazhe direkte në vaj, seri vizatimesh, instalacione, kolazhe, fotografi dhe performime të kolazhit. Kjo ekspozitë është një udhëtim përmes disa qyteteve franceze me syrin e një artisti që vjen nga një vënd si Shqipëria, që dikur këtë kulturë e shihte si një dritare për të njohur botën.

Gjatë muajit nëntor të vitit që shkoi, kjo ekspozitë u çel fillimisht në Korçë, gjatë përvjetorit të themelimit të Liceut Francez. Por si e shpjegon Kostandini lidhjen e tij me Parisin?

"Imazhi i Parisit, kryeqytetit të artistëve, gjithmonë magjik në dimensionin e vet human dhe kulturor, depërton në zemër të bunkerit komunist shqiptar përgjatë viteve të izolimit të madh.

Student në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranën e asaj kohe, përmes botimeve Franceze të Skiras dhe Flamarion, unë shikoja një dritare drejt artit modern, kubist dhe abstrakt", thotë Kostandini. Udhëtimin e tij të parë në Paris do ta bënte në vitin 1996 për një ekspozitë kolektive me artistë shqiptarë në

Chambery dhe Belley, kurse në vitin 2000 do ta shihte më në fund Parisin. "Munda të prek misteret e artit në Louver dhe d‘Orsey. Kam realizuar shumë vizatime në rrugët e Parisit dhe ndihesha i lumtur që pata mundësinë të punoja atje ku mjeshtërit e mëdhenj të impresionizmit, patën zbuluar dritën dhe ngjyrat e reja të Artit", thotë Kostandini. Në vitin 2001 ekspozoi dy tablo në Carrousel du Louvre. Ekspozita "Paris‘07" përmbledh këtë aventurë pariziane dhe rigrupon të gjitha reagimet artistike dhe njerëzore rreth këtij qyteti. "Vizitat e mia të tashme në Paris realizohen përmes vajzës sime, studente e Historisë së Artit në Sorbonë.

Ajo më mban nën kontaktin e vazhdueshëm të artit të tanishëm, duke zbuluar Parisin në një tjetër vështrim. Arti im, që realizohet në një provincë, ka nevojë urgjente dhe të vazhdueshme të jetë nën ndikimin e sharmit parizian", thotë Kostandini. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë në qytetin e Pogradecit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›