E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat e fermave, Kuvendi mban peng ligjin prej një viti

12/03/2012  Drafti parashikon pronësinë e tokave në përdorim që u dhanë punonjësve të ish-NB-ve

Ligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” që prej më shumë se një viti ka mbetur peng i kalendarit të punimeve të Kuvendit. Qeveria shqiptare në qershor të vitit 2011 dërgoi në Kuvend ligjin në fjalë, i cili bënte pronarë ish-punëtorët e fermave, të cilët nuk e kanë kaluar në pronësi tokën që e kishin marrë në përdorim përgjatë viteve ’90 në bazë të ligjit, por nga ana tjetër parashikonte dhe ndëshkime apo deri në konfiskim të të gjithë atyre që e kanë përfituar këtë tokë padrejtësisht.

Por çka ndodhur? Deputetët e Komisionit të Ligjeve thonë se tashmë çështja mbetet në dorë të Byrosë Parlamentare për ta kaluar në votim, pasi në Komisionin e Ligjeve janë mbyllur diskutimet për këtë çështje. Nga ana tjetër, burime në Kuvendin e Shqipërisë shprehen se ligji është ende në organin ligjvënës, çka do të thotë se nuk është tërhequr nga qeveria për përmirësime të tjera, për faktin se ai është punuar në Komisionin e Ligjeve. Në korrik të vitit të kaluar drafti ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita mungonte për arsye që tashmë dihen. Në parim deputetët kanë qenë dakord, me disa përmirësime të lehta që i janë bërë ligjit, por që ende nuk ka marrë votat në Kuvend, veprim që e mban ende në një draft të pakthyer në ligj. Por më shqetësues është fakti se askush nuk di të thotë se kur do të hyjë në votim ky ligj, i cili mban peng me mijëra familje, si ata që kanë përfituar tokën nga ish-NB-të, ashtu dhe ish-pronarët, të cilët presin të futen në skemë kompensimi ose të marrin hapësirat që mbeten pas verifikimet që do të bëjnë institucionet përkatëse, gjithnjë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Relacioni

Në draftin e ri parashikohej njohja e së drejtës së pronës vetëm në rast të përfitimit sipas ligjit nr. 8053 të miratuar rreth 17 vjet më parë. Bëhet fjalë vetëm për ato sipërfaqe që kanë qenë në pronësi të ndërmarrjeve bujqësore dhe që kanë qenë objekt i trajtimit të këtij ligji. Ndryshimet në ligjin nr. 8053 përcaktonin të gjitha kategoritë që përfitojnë të drejtën e pronësisë, ku përfituese do të ishin familjet bujqësore apo individët që e kanë pasur atë në përdorim ose ata që kanë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore. “Do të përfitojnë të drejtën e pronësisë edhe ato familje apo individë që kanë mungesa në dokumentacionin e përdorimit apo të pronësisë së kësaj toke”, – thuhej në relacionin për ndryshimet në ligjin nr. 8053. Në nenet e paraqitura nga qeveria u jepet e drejta komisioneve vendore, të cilat janë në drejtimin e prefektëve. Në rast të ankesave do të jepet e drejta deri në heqjen e titullit të pronësisë

Drafti i qeverisë

“Përfitues dhe shfrytëzues të tokës bujqësore konsiderohen të gjitha ato familje apo individë që janë banorë të komunës apo të bashkisë në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre nga viti 1992, që kryejnë veprimtari bujqësore në tokën në fjalë dhe që janë evidentuar nga komuna për interesimin për t’u pajisur me akte pronësie”, – thuhet në relacionin e qeverisë të një viti më parë.

Kategoritë që përfitojnë pronësinë e tokës në draftin e qeverisë të një viti më parë

Neni 2

Pas nenit 1 shtohet nen 1/1 dhe 1/2 me këtë përmbajtje:

Neni 1/1

Përfitues sipas këtij ligji janë:

A) Familjet bujqësore apo individët që:

I) anë përfitues të tokës bujqësore në përdorim apo në pronësi sipas vendimit nr. 542, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, i ndryshuar.

II) e kanë tokën bujqësore në përdorimi dhe e shfrytëzojnë atë, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo të pronësisë.

B) Familjet bujqësore apo individët që:

I) Janë lëvizur nga qendrat e tyre të banimit dhe janë vendosur në territoret e ish-ndërmarrjeve bujqësore me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, sipas të cilave ata janë përfitues të tokës bujqësore në pronësi apo në përdorim.

II) E kanë në përdorim dhe e shfrytëzojnë atë, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo të pronësisë.

Rastet e përjashtimit nga pronësia

Neni 4

Pas nenit 2 shtohen nenet 2/1...

Neni 2/1

1. Tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore të përjashtuara nga pronësia sipas nenit 2 nuk janë objekt i këtij ligji.

2. Toka bujqësore nuk kalon në pronësi sipas këtij ligji edhe në rastet kur:

A) Është regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme si pronë private.

B) Është përfshirë në procesin e legalizimeve, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar”.

C) Me vendim të Këshillit të Ministrave ka kaluar në fondin e kompensimit fizik dhe është vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Ç) Është lëshuar AMTP-ja deri më 15.08.2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

D) Me vendim të Këshillit të Ministrave apo të KRRTSH-së nuk është më e tillë. Këtu nuk përfshihen familjet ose individët që kanë përfituar tokë bujqësore si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore apo të Ndërmarrjeve bujqësore.

Dh) Është objekt kërkese, e cila po shqyrtohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por nuk është dhënë ende vendim.

E) Është objekt i një konflikti gjyqësore, për të cilin komuna apo bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›