E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Europian rimerr dosjen Shqipëria

Më 7 korrik, seanca plenare, pritet deklaratë dhe nga baronesha Ashton

Parlamenti Europian rimerr sërish në shqyrtim situatën politike në Shqipëri për ta vulosur me miratimin e rezolutës së miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme, por edhe me një deklaratë të rëndësishme politike që pritet të bëjë para eurodeputetëve Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Baronesha, Catherine Ashton. Në kalendarin e punimeve të Parlamentit Europian, bëhet e ditur që janë caktuar tri data ku do të diskutohet dhe përgatitet debati për Shqipërinë. Kështu, të mërkurën, 30 qershor, në Komitetin e Politikës së Jashtme do të diskutohet dora e fundit e mocionit për rezolutë të përgatitur nga reporteri i PE-së për Shqipërinë, eurodeputeti grek, Nicholaos Chountis. Ndërkaq, të hënën e ardhshme më 5 korrik, në orën 19.00 sërish Komiteti për Politikë të Jashtme do të diskutojë amendamentet që u miratuan një javë më parë, ndërsa në seancën e pasdites së 7 korrikut, përkatësisht të mërkurën, konkretisht në seancën e pasdites, që nis në orën 15.00 e zgjat deri në orën 18.00 do të zhvillohet debati për situatën në Shqipëri dhe në Kosovë. Në këtë seancë është planifikuar të japë një deklaratë të rëndësishme ose zv/kreu i Komisionit të BE-së, ose shefja e diplomacisë së BE-së, baronesha Ashton.

Në mbledhjen e 14 qershorit, që u mbajt në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë lëshuar një ultimatum real për krizën shqiptare, duke deklaruar se “është koha e fundit për zgjidhjen”. Këshilli për Punë të Jashtme të BE-së, që drejtohej nga baronesha Catherine Ashton, i mbajtur në Luksemburg, ka miratuar një deklaratë të posaçme për Shqipërinë, ku kërkojnë që qeveria dhe opozita të gjejnë me shpejtësi një zgjidhje për krizën politike në vend. Kjo u kërkua edhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Cathernie Ashton, në një deklaratë pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë. “Ne duam të arrijmë në një zgjidhje, sa më parë. Duam që Shqipëria të jetë në rrugën e BE”, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE, duke qenë në një linjë diplomatike me deklaratën e përbashkët të ministrave europianë.

Draft-rezoluta

Shqipërisë i është hapur rruga për të përfituar liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, por kriza politike në vend duhet të zgjidhet për të mos penguar integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ky ishte thelbi i projekt-rezolutës për Shqipërinë, hartuar nga eurodeputeti Nicolaos Chountis, e cila u kalua nga Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian më 23 qershor. Vetë hartuesi i rezolutës, eurodeputeti grek, Chountis, e konsideroi miratimin e kësaj rezolute si një lajm të mirë për qeverinë dhe popullin në vend, por nga ana tjetër theksoi se Shqipëria duhet të përpiqet më shumë për procesin e integrimit, duke zgjidhur edhe krizën politike. Dokumenti i miratuar të mërkurën e shkuar në Strasburg i bën të ditur klasës politike shqiptare se nuk do të ecet më tej në dhënien e statusit të vendit kandidat nëse mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për zgjidhjen e krizës. “Kriteri politik është shumë i rëndësishëm për integrimin”, theksohet në tekst, i cili përkthehet se nuk mund të ecet përpara nëse nuk do të ketë një Parlament me funksionim të plotë, i cili nuk arrin të miratojë ligjet që kërkojnë 84 vota. Në rezolutë theksohet dhe duhet të miratohet një ligj i ri zgjedhor, i cili duhet të garantojë transparencën e zgjedhjeve. Në tekstin final të saj u përfshinë vetëm ato që konsideroheshin si amendamente kompromisi, të cilat nuk lejuan që mosgjetja e gjuhës së përbashkët për zgjidhjen politike në vend të penalizonte lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›