E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali për Çamërinë: Harta etnike në këngë

Aktiviteti

Nata e dytë e Festivalit të Katërt të Këngës dhe Valles për çamërinë ka ngjitur në skenë shtatë ansamble dhe dhjetëra artistë nga Konispoli, Kosova, Mali i Zi dhe deri në Sarajevë. Pjesëtarë të ansamblit “Kemal Azis” nga Kosova, që u përzgjodhën si përshëndetës për natën çelëse të festivalit të katërt janë ngjitur në skenë me ambicien dhe emocionin e konkurrimit. Pas tyre, radha ka qenë për grupin folklorik çam të qytetit të Konispolit. Pjesëmarrësit e ardhur nga Mali i Zi mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Aleko Dajko”, janë bërë gjithashtu përçues të artit popullor burimor nga Malësia e Rapshës. Një repertor interesant shpalosën para shikuesve edhe pjesëtarët e grupit polifonik të Mallakastrës. Pas tyre, skena ka qenë e gjitha për artistët e ansamblit boshnjak “Gajret”, të ardhur nga Sarajeva, të cilët sollën motive karakteristike, me një kolorit dhe tingëllim të veçantë. Sërish pas tyre janë paraqitur për konkurrim artistë kosovarë, pikërisht ata që janë kuadruar në ansamblin e “Smirës”, nga Komuna e Vitisë në Kosovë. Tetovarëve u ka takuar të mbyllin me koncertin e tyre programin e natës së dytë të festivalit. Të pranishmit kanë ndjekur dhe duartrokitur motivet dhe ritmet e sjella nga pjesëtarët e ansamblit “Burimet e Sharrit”, në Maqedoni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›