Inspektorati Ndërtimor: Nuk ka asnjë kallëzim ndaj nesh
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bën me dije se nuk ka asnjë kallëzim penal si dhe nuk është paraqitur asnjë kërkesëpadi ndaj Inspektoratit apo kryeinspektorit. “Konfirmimet janë zyrtare nga Prokuroria e Durrësit dhe Gjykata e Shkallës së Parë të këtij rrethi. Deri në mbylljen e orarit zyrtar të punës, është konfirmuar se gjatë së martës, datë 6 korrik, nuk ka pasur asnjë nismë të tillë, siç dhe u pretendua nga disa persona, banorë të Hamallajt. Si drejtues të Prokurorisë së Durrësit ashtu dhe zyrtarë të Gjykatës së Durrësit konfirmuan faktin që nuk ka asnjë veprim ndaj Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar apo ndaj zotit Gjergj Bojaxhi”, thuhet në njoftimin për mediat të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Po në njoftim thuhet se Inspektorati Ndërtimor vlerëson se veprime të tilla nga banorët posedues të objekteve të paligjshme në Hamallaj, do të ishin veprime të pakuptimta, që do të komprometonin edhe më tej pozicionin e tyre. Ky veprim, jo vetëm nuk krijon asnjë pengesë për qëndrimin e pakthyeshëm, për ekzekutimin përfundimtar të vendimeve për prishje, por njëkohësisht inkurajon vënien para përgjegjësisë penale të këtyre shtetasve, pasi siç dihet, në Kodin Penal, çdo ndërtim i paligjshëm, parashikohet si vepër penale dhe përveç ndëshkimit me gjobë dhe prishjes, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
#