E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Nisma e Ramës është hipokrite

 

BLEDAR HOTI

Qeveria rrëzon nis-mën e PS-së për pajisjen e qytetarëve me  karta të identitetit pa pagesë. Nisma e socialistëve është depozituar dje zyrtarisht në Parlament dhe u bë publike nga ana e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.  Ndërsa zv.kryeministri Genc Pollo e ka rrëzuar një nismë të tillë, duke  e cilësuar si hipokrite. “Çështja e pagesës është një nga arsyet madhore që edhe atje ku ka filluar puna, fluksi është i ulët sidomos nga kategoritë në nevojë. Askujt nuk mund t’i privohet e drejta kushtetuese për të votuar pse është i varfër. Një banor i fshatit që merr 800 lekë ndihmë ekonomike në muaj nuk mund të përballojë 4.800 lekë pagesë për një familje me katër vetë, i duhet ndihma ekonomike e pesë muajve që ta përballojë koston e kartës. Ndërsa në qytet i duhet një muaj e gjysmë ndihmë ekonomike, po këta njerëz kanë dhe nevoja të tjera”, deklaroi Leskaj. Ajo theksoi se “sot procesi duket edhe më i rrezikuar edhe më dyshues, për sa kohë që Kryeministri jo vetëm që nuk ju përgjigj kërkesës së opozitës për të marrë masa për përballimin e situatës, po me të dhënat që solli, e bëri edhe më jo transparent e më dyshues procesin”.”Jemi në limitet më të ngushta kohore që rrezikojnë zgjedhjet, e cila do ishte me kosto shumë të lartë për vendin. Çështja e kartave është kyç për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërkohë, që është detyrë e shtetit t’u garantojë shtetasve të vet ushtrimin e të drejtës së votës, ndaj ne kemi propozuar heqjen e pagesës për shtetasit që aplikojnë për letërnjoftimi deri në datën 10 qershor. Ju mund të fusni edhe këtë nismë në kalendarin grek, si keni bërë edhe me nisma të tjera tonat, po dua t’ju kujtoj se kjo masë do shërbejë edhe si nxitje për njerëzit që të aplikojnë duke garantuar procesin”, tha Leskaj. Ndërsa zv.kryeministri Pollo e cilësoi si të papranueshme një nismë të tillë, duke i cilësuar nismat e kreut të PS-së, si të vjetruara. “Propozimi i parë: të jepen letër njoftime pa paguar. Është hipokrite dhe e pabazë. Asnjë vend i botës nuk e bën këtë, për më tepër ju dhe certifikatat i keni dhënë me lekë.   Por, duke dëgjuar zërin e njerëzve por dhe zërin tuaj, për t`ju respektuar për aq sa ju takon, kemi marrë në fillim të shkurtit masa për të subvencionuar letërnjoftimin për pensionistët, për studentët, për të papunët dhe për rrogëtarët e vegjël. Për këto kategori pagesa është e subvencionuar”, deklaroi Pollo. Ndërsa e cilësuar si i padrejtë edhe propozimin e dytë, që të pengojë shtetasit me pasaportë nga aplikimi deri në qershor. “Është momenti duke iu përgjigjur dhe propozimit të opozitës, më saktë, nenit 4 të projektligjit të dorëzuar që, z. Rama dhe  Kryeministri, ndoshta po të doni edhe z. Meta e drejtues të tjerë,  t’i bëjnë thirrje të gjithëve për të aplikuar për letërnjoftime. Le ta bëjnë  së  toku me një konferencë të përbashkët shtypi, me një spot të përbashkët, me një formë  që ju e gjykoni të përshtatshme. Ky do të ishte një kontribut real nga z. Edi Rama, i cili deri tani nuk ka thënë një gjysmë fjale për të nxitur qytetarët të pajisen me letërnjoftime, në këtë proces historik për vendin”, deklaroi Pollo.

PS: Qeveria e çorganizuar për kartat

Partia Socialiste shpreh keqardhje për përgjigjen negative të kryeministrit pas propozimit të saj ligjor të dy ditëve më parë, bërë publike nga kryetari i opozitës, që shtetasit pa pasaportë të pajisen falas me letërnjoftim. Sekretari organizativ i selisë rozë, Blendi Klosi, tha se procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti është i çorganizuar. Klosi tha se nga 331 vende të nevojshme për aplikim në të gjithë vendin, janë hapur vetëm 121, që do të thotë se në 2/3 e vendit nuk ka vende aplikimi për letërnjoftime. Ai i kërkoi qeverisë më shumë transparencë dhe njëkohësisht u bëri thirrje shtetasve të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për fatin e zgjedhjeve të qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›