Bashkëshorti i pacientes ther mjekun në klinikë, arsyeja mos firmosja e një dokumenti

Një mjek është sulmuar me armë të ftohtë, thikë, brenda klinikës ku punonte. Viktima e këtij sulmi është mjeku endokrinolog Agron Ylli. Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Shallvareve”, ku mjeku Ylli ishte duke punuar në klinikën private.
Sipas burimeve të policisë, pas ngjarjes është shoqëruar autori i dyshuar. Ai është një 35-vjeçar, identifikuar si Bujar Valiasi dhe nga të dhënat e para hetimore ka pasur një debat të ashpër me mjekun para se të ndodhte plagosja.
Mësohet se autori kishte dërguar gruan e tij për vizitë tek mjeku, por nuk dihen shkaqet që kanë quar në debatin e ashpër që përfundoi me plagosje.
“I arrestuari dhe mjeku janë përfshirë në një debat me fjalë, por më pas 35-vjeçari ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar mjekun dy herë në zonën e ijes”- thonë burimet policore, duke iu referuar dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes.
Mjeku 50-vjeçar ka rënë përtokë i gjakosur e më pas është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. Sipas burimeve nga spitali, për fat të mirë, gjendja e mjekut endokrinolog është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ai duhet të qëndrojë nën trajtim mjekësor.
Ndërkaq, e njoftuar për ngjarjen, policia ka bërë një ‘krehje’ të zonës së populluar me lokale dhe ka vënë në pranga autorin e dyshuar, 35-vjeçarin, Bujar Valiasi. Ende nuk jepen detaje rreth motiveve të ngjarjes, ndërkohë që policia njofton se është duke marrë në pyetje autorin.
Mjeku Agron Ylli ka qenë më parë për disa vite shef i repartit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kryeqytet.
...