Një ndër bilbilat e Shkodrës që diktatura ia ngriu këngën në buzë.
Kushtuar Gac Sokol Çunit, të riut 21-vjeçar që u dënua me 20 vjet burg nga regjimi komunist. Ai si shumë të rinj e deshi jetën, këngën e atdheun. Diktaturën e urrente. Vdiq në burgun skëterrë të Burrelit, në moshën më të bukur të jetës, 31 vjeçare. Si shumë të tjerë shokë të tij, u varros te qershia.
Kush e njohu Gac Çunin kujton me dhimbje për rininë e tij, për zërin e ëmbël e melodioz, për shumë këngë të bukura që ai kompozoi dhe i këndoi me kitarën e tij, për natyrën e tij të dashur, të qeshur e të gëzuar.
Lindi në Shkodër, më 6 korrik të vitit 1925 në një familje të varfër. Filloi studimet e mesme në gjimnazin e Jezuitëve dhe i përfundoi ato në gjimnazin e shtetit të qytetit të lindjes më 1945, ku pas përfundimit të shkollës u caktua arsimtar në Bajzë, të Malësisë së Mesme. I ati Sokoli, megjithëse punëtor, nga pesë djem që kishte më sakrifica shkolloi dy prej tyre. Të madhin Kolën, në Firence të Italisë, i cili nuk u kthye më kurrë dhe më Gacin në Shkodër. Gaci, ndër të gjithë vëllezërit bënte shej, por fati nuk e desh. Porsa kishte filluar të hyntenë jetë, në moshën 21-vjeçare, më 31 gusht 1946 arrestohet nga sigurimi i shtetit me akuzën “për veprimtari të armiqësore kundër shtetit, për komplot anti-shtetëror dhe bashkëpunim me të arratisurin Kap. Gjergj Vata. Që në këtë moshë të re Gaci provoi tortura çnjerëzore në një seri burgjesh që ishin hapur në qytetin e Shkodrës, duke filluar nga burgu i improvizuar në Kuvendin Françeskan, në atë te ndërtesa Çuçia e shumë të tjerë me radhë, vende të tmerrshme, të njohura për tortura dhe izolimesh. Një bashkëvuajtës i Gacit të asaj kohe shkruan: “Kur ishim në birucat e fronteve me Gacin komunikojsha me anë të një vrime të hapur në mure dhe që e quajtshim telefoni sekret . Një ditë unë po e pyetja Gacin:
- A din kush është Drita Kosturi , (pasi këtë grua e kishim parë në kohën kur na nxirrnin për nevoja personale)- e Gaci më drejtohet duke më ripyetur.
Pse edhe atë e paskan futur në burg?
E njeh ti?- i thom unë.
Jo, jo unë nuk e njoh, por me të dëgjuar e di se ka qenë e fejuara e Qemal Stafës.
Si mund të jetë ajo në burg?- Më përgjigjet Gaci- këtu nuk po merret më vesh kurrgjë se çfarë po bëhet.
Dhe me të vërtetë ishte n jë kohë që ishin kryer kaq arrestime masive sa në qytetin e Shkodrës mund të ishin rreth 30 burgje. Gaci u dënua me 20 vjet burg dhe punë të detyruar. Gjuqi i tij iu bë në burgun e Kuvendit Françeskan me dyer të mbyllura, me disa dëshmitarë të manipuluar dhe pa të drejtë mbrojtjeje. Pas dënimit e sollën në burgun e madh të qytetit dhe më pas do të kalonte ashtu si në tjerët në disa kampe shfarosëse, si ai i bedenit të Kavajës, i Orman Pojanit, në Korçë e të tjerë.
Gaci ishte i dashur me të gjithë shokët e burgut, por me ne të rinjtë sidomos ishte shumë i afrueshëm. Me humorin e tij na bënte sadopak të harronim vuajtjet tona. Kujtoj njëherë, në nëntorin e 1949 kur ishim në kampin e Orman Pojanit, dhe qeveria e Enver Hoxhës, pas kthesës që kishte bërë gjoja e me prishjen me Jugosllavinë e Titos, për t`i lënë fajin Koxi Xoxës, bëri një zbritje dënimesh sa për të thënë, liroi 20-30 të burgosur në gjithë Shqipërinë, ndërsa zbritje dënimesh nga pak vite bëri për një numër më të madh të burgosurish, ndër të cilët ishim, unë dhe Gaci. Në këtyë kohë vuanin dënimet bashkë me ne edhe disa komunistë, që priteshin të liroheshin me këtë falje, por për ironi të fatit ata jo vetëm që nuk u liruan, por as që iu zbritën dënimet. Gaci, due i parë këta tipa të pa princip, tallej me ta dhe në prezencë të tyre më drejtohej mua dhe ndonjë shoku tonë me sarkazmin e tij për t`i shpotitur: “Si është e mundur që ne që nuk e duam aspak këtë parti e këtë pushtet, na i kanë ulur dënimet, ndërsa këtyre që janë me mish e me shpirt me partinë, jo vetëm që nuk i liruan, por edhe dënimet nuk ia ulën fare?”. Kjo thënie e Gacit u përhap në të gjithë kampin dhe i bënte këta kuqalosh të dështuar të plasnin nga inati. Dhe batuta të tilla Gaci i kishte të shpeshta, nëpërmjet të cilave ai shprehte dufin ndaj shtetit diktatorial.
Ky i ri nacionalist e tregoi karakterin e tij të pathyeshëm gjatë gjithë viteve të gjata të burgut për qëndrimin e tij burrëror u bë qendër qëndrese për moshatarët dhe bashkëvuajtësit e tij. Te Gaci neve gjenim vjershëtarin, kompozitorin e këngëtarin. Zëri i tij kishte kaq ëmbëlsi sa na përmallonte të gjithëve, vjershat e tij ishin frymëzime të vërteta malli për atdhe, të shprehura këto me tone rinore. Në to ai fliste për qytetin e tij, për Rozafën, malet, fushat, lumenjtë e liqenin Shkodrës, për shokët e vrarë, për dëshirat e rinisë, për të ardhmen e vendit të vet, por gjithmonë në qendër qëndronte Shkodra, qyteti iliri, siç e quante Gaci. Një vjershë që i kushton këtij qyteti titullohet “O Shkodër ilire, o vend i lirisë”.
Por ndër poezitë që shkroi dhe kompozoi Gaci bëjnë pjesë edhe “Qingji i heshtur”, “Heronjve që ranë kufi”, “Shkodrës tonë”, “Ruba e cucës” dhe “Kaçurrelat e tu”, një këngë e përhapur jo vetëm në Shkodër por edhe në shumë qytete të tjera të vendit. Kënga e cila nhuk vdes kurrë, që i dedikohet të dashurës së zemrës, që nuk arriti kurrë ta jetojë, një këngë e cila përfundon me vargjet: “Pa ty i mjeri unë kam mbetun/ pa ty i mjeri un jam i vdekur/ për ty pa praun kam me kendue/ s`kam me i harrue kaçurrelat e tu/ kaçurrelat e tu”. Këtë këngë e nxori nga burgu shoku i tij Ahmet Kopliku, dhe ajo u përhap mjaft ne shume qytete të tjera.
Por fati i kishte caktuar Gacit të jetonte në vuajtje. Vëllau i madh Kola vjen në vendin e vet, më 26 Dhjetor 1949 me një grup parashutistash, ndër të cilët Zef Lukaj, Mirash Marku, Ndue Frisku, etj, gjë e cila do të bëhej shkak për internimin e familjes në Fier-Shegan të vëllaut të vogël, Lazrit dhe të motrës Angjes, ndërkohë që vëllaun tjetër ia burgosën. Dhe pas gjithë këtyre vjen edhe transferimi në burgun skëterrë të Burrelit, për të cilin një gazetar i huaj ka shkruar: “Ferri i Dantes është purgator para tmerreve të burelit”. E megjithatë Gaci nuk u përul asnjëherë. Bashkëvuajtësi i tij Viktor Luka tregon: “Kur na dërguan në burgun e Burrelit me Gacin, aty gjetëm Prof. Arshi Pipën, që në vitet 42-43 i kishte dhënë mësim Gacit, në gjimnazin e shtetit Shkodër. Ky qëndrim së bashku i të dyve, ua lehtësonte dhimbjet sadopak. Gacin e kënaqte kultura dhe erudicioni i profesorit, ndërsa ky i fundit ndiente lehtësi e kënaqësi nga këngët e Gacit, të cilat ai i këndonte nën zë, që të mos dëgjohej nga rojet e burgut. Profesori nuk do ta harronte kurrë Gacin. Në librin e tij, titulluar “Libri i burgut”, botuar në 1959, në “Elegji për Gac Çunin” do të shprehte dhimbjen për vdekjen e tij: “Gac, o shok i vuajtjeve, nxansi im i lashtë/ ma s`ta gjegja zanin, ma nuk t`ndesha jasht/ n`imshten e Burrelit vorrin ku ta bane/ kur ushton gjethnaja, Gac, ti ndoshta fshane”.
Ata që e përjetuan më vonë ferrin e Burrelit gjetën që aty qarkullonin në fshehtësi shumë punime të ndryshme filozofike të Pader Pjetër Mushkallës, punime estetike të Koço Tasit, poezi të Kudret Kokoshit, punime juridike të Ëngjell Çobës, të gjitha këto të fshehura në astare e kapakë librash. Ndërsa këngët e Gac Çunit i cili kishte dhënë shpirt aty, nuk ishte e nevojshme që të fshiheshin, pasi i mbante të ruajtura secili në trurin dhe shpirtin e vet. Ajo që i jepte kurajo për të jetuar Gacit në ato kushte aspak njerëzore ishte kujdesi i të afërmve dhe shpresa e lirimit. Një ditë takimi Gaci i kishte thënë vëllaut të vogël, Lazrit:
- Më vjen keq Lazer që mundohesh për mue. Të kam lanë fëmijë. Më dhimbsesh.
- Mos mendo për ne. Po vjen koha dhe do të dalësh- i qe përgjigjur ai.
- Po edhe po të dal unë s`kam çka me veshë
- Kam mendue edhe për këtë- i kishte dhënë zemër vëllai, pa menduar se familja e tij po kalonte një vorfni të trishtueshme.
Jeta e Gacit qe e shkurtër. Ai vdiq më 24 Prill 1956 pak muaj se të plotësonte dënimin. Vdiq nga sadizmi i organeve të burgut që nuk e dërguan për mjekim në spital. Gaci ka shumë vjet që nuk është mes nesh, por ai vazhdon te jetojë ndër ne me vjershat dhe këngët e tij, duke na lënë amanet dashurinë dhe bashkimin me njëri-tjetrin dhe duke na kujtuar se: “Më i bukri vend n`kët dhe/ është Shqipëria ku kam le”.
...