E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti gjerman: Po Shqipërisë në NATO

Gjermania përmbyll procedurën parlamentare të ratifikimit, duke u bërë kështu vendi i gjashtëmbëdhjetë që ratifikon protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjermania është vendi i 16-të që ratifikon këtë protokoll. 

BERLIN- Bundesrat-i Gjerman (Këshilli federal) ratifikon protokollin e datës 9 korrik 2008 për Marrëveshjen e Atlantikut të Veriut mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Pas ratifikimit nga Bundestagu (parlamenti) pak ditë më parë dhe tashmë edhe nga Bundesrati, Gjermania përmbyll procedurën parlamentare të ratifikimit, duke u bërë kështu vendi i gjashtëmbëdhjetë që ratifikon këtë protokoll.

Në një deklaratë për shtyp të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, theksohet se: “Qeveria federale e Gjermanisë është e bindur, se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Europë. NATO është më shumë se një aleancë për mbrojten, ajo është edhe një bashkësi transatlantike e gjerë vlerash që mbështetet në parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit ligjor dhe që është angazhuar për nxitjen e paqes dhe stabilitetit.”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, përmes një letre dërguar Kryetarit të Bundestratit gjerman Peter Muller, falenderoi anëtarët e Bundesratit për votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe besimit të tyre te vlerat e kombit shqiptar dhe vlerësimit të progresit të Shqipërisë.
Nga zyra e shtypit e Kuvendit mësohet se përshpejtimi i procesit të ratifikimit është  konfirmuar edhe nga krerët e parlamenteve të Italisë, Kanadasë, Belgjikës.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›