Parlamenti i Ri, 12 maketet rrëfim demokracie...
Një parlament dhe një stadium për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.
Kur u shpallën, tingëlluan si tepër të bukura për të qenë të vërteta, por aksioni për petëzimin e këtyre dy projekteve madhore ka nisur.
12 maketet e Parlamentit, të projektuara nga kompani të huaja që deri tani identifikohen vetëm me kodin me të cilin kanë hyrë në konkurs, u kanë qëndruar besnike kritereve kryesore, ku bien ne sy ndërthurja e traditës me arkitekturën moderne.
Bie në sy transparenca e secilit prej projekteve në funksion të domethënies që demokracia e vërtetë ka për një popull. Parashikohen dhe ekologjia dhe vetëpërmbushja e nevojave me energji.
Arkitekti Arben Shtylla, herë pas here dhe vetë kryetarja e Kuvedit, Jozefina Topalli, kanë përjetuar ditë intensive duke u bërë ciceronë të secilit prej projekteve, nga mëngjesi deri në orët e vona të natës në 7 ditë të javës, e ndërkohë që interesi i qytetarëve vetëm rritej nga dita në dite.
Brenda pak ditësh, juria ndërkombëtare do të vendosë se kush do të jetë projekti fitues për kompleksin e ri parlamentar.
Ne u kemi hedhur një vështrim të gjerë e më shpjegues secilit prej 12 maketeve që për disa ditë qëndruan të ekspozuara për publikun tek Kryesia e Kuvendit.
Bie në sy transparenca ne funksion të domethënies që çdo demokraci ka për një popull.
Janë të pranishme ekologjia dhe vetëpërmbushja e nevojave me energji.
Kompleksi parlamentar është një angazhim i mazhorancës qeverisëse, si dhuratë për shqiptaret në 100-vjetorin e shtetit tonë të pavarur.
12 projektet, me të përbashkëtat e të veçantat e tyre të fuqishme, do ballafaqohen me votën e jurisë prej 3 anëtaresh të huaj e dy shqiptarë, si dhe me votën e qytetarëve, përmes faqes se Parlamentit në internet.
E sigurt është që cilido të jete projekti fitues, ai do të jetë ndër më uniket e më bashkëkohorët në botë.
Projekti me kodin X6677 L
Njihet si foleja e Shqiponjës.
Karakterizohet nga tre elementë kryesore siç janë demokracia, transparent e pushtetit, ku salla paraqitet si fole shqiponje, si dhe pjesëmarrja e popullit si Agora e demokracisë.
Agorat në Greqinë e lashtë ishin djepi i demokracisë europiane ku qytetarët gjithashtu mund të dëgjonin debatet e të zgjedhurve.
Këtij projekti madhështia i vjen veçanërisht nga krahët gjigante si ombrellë të shqiponjës, si tipar kryesor i këtij projekti, simbol i rolit të
Parlamentit për të mbrojtur dhe përfshirë të gjithë qytetarët.
Projekti me kodin Pont 3 G
Ndër të tjera, ky projekt paraqet përkatësi dhe identitet shqiptar por dhe mesdhetar, ndjenje të një demokracie transparente, ndaj së cilës po rendim prej 20 vitesh, por dhe simbole e ikona mes traditës dhe modernes.
Projekti i koduar si Pont 3 ka një vazhdimësi interesante arkitektonike dhe ambientale gjithashtu.
Muri mesdhetar që është në qendër të formimit të imazhit të pallatit bëhet metafora dhe mjeti shprehës kryesor.
Projektuesit argumentojnë se uji me pastërtinë e tij përfaqëson karakteristikat njerëzore të popujve të Mesdheut, mikpritjen dhe
tolerancën ndaj të tjerëve. Shqipëria, ashtu si Italia apo Spanja përmbajnë në kulturën e tyre gjurme popujsh antike të cilët shpesh e kanë akumuluar dijen e tyre duke qene në vende të hapura ndaj pasurimit përmes dijeve të të huajit, të panjohurit. Përdorimi i simetrisë ndihmon këtë projekt dhe po ashtu i përgjigjet një shenje identiteti arkitektonik, i pranishëm në kontekstin urban te Tiranes.
E veçanta është se në hyrje të godinës është gdhendur dhe betimi i deputetëve.
Projekti me kodin A16L
Projekti që përmban ketë kod pretendohet nga krijuesit e tij se mishëron dhe respektin në mënyrë ideale përparimin e qeverisjes demokratike shqiptare.
Ndërtesa ka tre kate pune në nivelin mbitokësor, me një hapësirë të gjelbëruar në nivelin e çatisë, si dhe dy nivele parkimi nëntokësor.
Katet janë të organizuara vertikalisht mbi bazën e një rendi privatësie në rritje, për deputetët, kryetarin e Parlamentit dhe administratën.
Projekti me kodin NA4MT
Projekti i radhës paraqet një zgjidhje projektuese të raportit në kontekstin urban dhe me godinat ekzistuese. Ideja e kompanisë projektuese është e lidhur me kuptimin e fortë që kompleksi i ri parlamentar do të prezantojë për tërë Shqipërinë.
Salla parlamentare përfaqëson zemrën e të gjithë Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë mbajtësin, trupi që përforcon dhe mban bëhet një karkalec që shikon larg mbi të gjithë qytetin dhe popullin.
Mbi të gjitha ai shikon larg, gjatë drejtimit veri-perëndim në Evropën e Bashkuar, aspirata jonë.
Në të njëjtën kohë, veshja e shkëlqyeshme dhe e lirë nga çdo interferencë duket nudo, pa asnjë veshje për kë e shikon nga larg apo nga afër, siç është e lire puna ligjbërëse e të gjithë anëtareve të parlamentit, që në brendësi të hollit kryesor zhvishen nga çdo egoizëm, për të çuar para vetëm interesat e kombit shqiptar.
Projekti me kodin 110363
Tek ky projekt që element bazë ka simetrinë, vëmendje i kushtohet hapësirës publike: dizajnit lidhës me rrugën, si dhe realizimit të parqeve e shesheve që janë po me aq rëndësi për suksesin e zhvillimit sa edhe skicimi dhe dizajni i ndërtesave.
Projekti me kodin V0203
Ky projekt paraqet një ndërtese jo arrogante, por të dukshme.
Kompleksi i ri parlamentar duhet të jetë disi i dukshëm, kanë menduar projektuesit, për të përfaqësuar kapacitetin e politikës aktuale të Shqipërisë, por nuk ka përse të jetë arrogante, vënë në dukje ata.
Parlamenti i ri nuk duhet të jetë vetëm një ndërtesë private për politikanët, të cilët punojnë brenda tij, por duhet gjithashtu të jetë një simbol shumë i rëndësishëm për njerëzit, një vend që shqiptarët të përballen, të futen dhe ta përdorin.
Projekti me kodin 10345
Projekti me këtë kod ka si synim te reflektohet si një monument kombëtar, monument demokracie, ekonomikisht dhe ekologjikisht inteligjent.
Salla e deputetëve është konceptuar si gur i çmuar dhe si zemra e sistemit parlamentar dhe arkitektonik kjo salle përfaqëson sovranitetin e fuqisë së demokracisë në mes të transparencës dhe te errësirës, mes fuqisë dhe dobësisë, mes misterit dhe nacionalitetit.
Projekti me kodin BS7 KH
Tek ky projekt, salla plenare në vetvete është ngritur mbi bllokun e zyrave nëcepin jug- perëndim të vendit dhe projekton ne veri ne drejtim të sheshit publik.
Paraqitet kështu jo vetëm si simbol i demokracisë por edhe si një element i dukshëm i dialogut me ndërtesën e zyrës. Struktura e saj është krijuar nga dy shtresa xhami te cilat formojnë fasadën të zbukuruar me motive shqiptare.
Projekti me kodin Shinë
Aty arkitektura e re me një kupolë parabolike dhe kristalore bëhet gjerësisht e dukshme.
Hyrja kryesore është vendosur në sheshin bujar të krijuar nga ana e bulevardit, ndërsa hyrja me qasje private për funksionarët e rëndësishëm dhe anëtarët e Parlamentit është në krahun tjetër të ndërtesës.
Sheshi është kufizuar me pemë të larta në të katër anët e kompleksit.
Një kupolë prej xhami transparente dhe e shkëlqyeshme, me një lartësi mbreslënëse, ngrihet mbi nivelet rrethore te objektit.
Në brendësi të sallës depërton një dritë e qartë dhe e shpërndarë që krijon imazhin e një diamanti oval.
Projekti me kodin MAR 12
Një detaj interesant i këtij projekti është se në rrafshin horizontal volumi është i prirur për të kapur pamjen madhështore drejt malit nga aksi urban, nëpër ndërtesë, mbi sallën plenare dhe nga vetë salla.
Projekti me kodin Knit T
Ndër pyetjet kryesore që tenton t’u përgjigjet ky projekt është se si mund të krijohet një mikroklimë e brendshme e aftë për t’u ndier sikur të ndodhemi ne një ambient të hapur, larg trafikut të mbingarkuar, zhurmës, ndotjes, nxehtësisë e lagështisë, dhe si mund t’i kthejmë këta faktorë në të papritur, në mënyrë që një ndërtesë e re institucionale të bëhet mënyrë e re ndërtimi-simboli kombëtar, pike tërheqëse në rang botëror dhe shembull per brezat e ardhshëm.
Projekti përbehet nga katër elemente kryesore, mbulesa aktive si ikonë e projektit dhe strehuese, ajo është edhe shtresa horizontale energji-aktive e projektit.
Kolonat janë elementi i dytë, ri- interpretues në konceptimin e tyre historik.
Holli kryesor, hapësirë madhështore me lartësi të plotë që përfshin sallën plenare dhe funksionet e shërbimit të publikut, si dhe fortesat qeveritare nëntokësore, organizuar në vetvete si një qytet i vogël autonom.
Një theks të veçantë marrin në këtë projekt parqet dhe sheshet e brendshme të shtruara, që përhapin kudo sensin e natyrës e të mirëqenies.
Por ekspertë të fushës arkitekte, e vlerësojnë këtë projekt edhe për një arsye domethënëse, veçanërisht për te gjithë ata qe kujtojnë mrekullinë që ka pasur sheshi para ndërtimit të piramidës për diktatorin Hoxha.
Projekti me kodin 11022
Projekti i 12 dhe i fundit i paraqitur në këtë konkurs paraqet sallën e Parlamentit duke reflektuar hapësirën bazë demokratike si sundimi i fuqisë së elektoratit, duke vendosur publikun mbi pjesëtarët e zgjedhur të Kuvendit pa i hequr të drejtën sallës së madhe, hollit që të jetë qendra metaforike dhe fizike e ndërtesës.
***
Në vitin 2012, në përvjetorin e 100 të pavarësisë së saj, Shqipëria parashikohet të ketë kështu Parlamentin e saj, siç e kërkon pushteti më i lartë në vend, ai legjislativ. Angazhimi i kryeministrit Berisha dhe kryetares se Kuvendit vjeshtën e 2010-ës u konkretizua ne hapjen e konkursit me pjesëmarrjen e kompanive të huaja.
Shembja e Piramidës ishte kusht i panegociueshëm i mazhorancës, sipas saj, ndryshe nga ç’pretendenton kryesocialisiti e kryetari i Bashkisë Edi Rama, pa asnjë vlerë arkitekturore e historike, përveçse ishte ndërtuar si varr për diktatorin.
Në atë kohë, u propozua qe salla e seancës plenare të shndërrohet në teatër kombëtar në të ardhmen, kurse ambientet e zyrave të Kryesisë së Kuvendit, dikur Komiteti qendror i Partisë së Punës, të shndërrohet në Pallatin e Drejtësisë. /abcnews/