E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klitschko nokauton Solisin në raundin e parë

Nga Express më 20 mars 2011 në ora 16:55

Vitali Klitschko mbrojti titullin e tij në kategorinë e rëndë të versionit WBC me fitore me nokaut, në raundin parë, ndaj Odlanier Solisit, i cili lëndoi gjurin gjatë rrëzimit dhe insistoi se ishte kjo, e jo goditja e kampionit, ajo që përfundoi meçin të shtunën. Solis arriti t’i shpëtojë numërimit, por ishte i pasigurt në këmbë dhe gjyqtari Jose Guadalupe Garcia nga Meksika e sinjalizoi përfundimin e përballjes.

“Nuk ishte lehtë në fillim. Solis ishte mjaft i shpejtë, por mori një goditje të fortë nga unë. Më vjen keq për të gjithë ata që kishin dashur të shohin një përballje më të gjatë”, tha Klitschko në intervistën e tij në ring, në mes të vërshëllimave nga publiku në arenën e mbyllur në Koln.

“Ishte gjuri im. Mund të ketë ndodhur për shkak se kisha bërë një hap të gabuar”, tha Solis nga Kuba. Promotori i tij, Ahmet Oner, insistoi se ishte lëndimi e jo goditja e Klitschkos ajo që e përfundoi meçin.

“Ai do të kontrollohet e me gjasë edhe do të duhet të operohet. Duket se ka çarë ligamentet”, tha Oner. Solis, 30 vjeç pësoi humbjen e parë në 18 meçet e tij si profesionist ndërsa 39-vjeçari Klitschko përmirësoi bilancin e tij në 42-2. Vëllai më i ri i Vitalit, Wladimir, kampion i versioneve IBF, WBO do të takohet me bartësin e brezit nga WBA, David Haye në qershor ose korrik. Solis, kampion olimpik nga viti 2004, kishte mposhtur Hayen për njërin prej titujve të kampionit të botës si amator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›