Parlamenti i ri, Kuvendi nis shqyrtimin e projektligjit
Kuvendi nis nesër shqyrtimin e projektligjit për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar. Drafti i përgatitur nga specialistët e Kuvendit, pasi është protokolluar, është dërguar menjëherë për shumëfishim, ndërsa Komisioni i Ligjeve e ka vendosur atë në prioritetet e veprimtarisë së vet, duke përcaktuar ditën e nesërme për nisjen e shqyrtimit në parim dhe nen për nen. Nga ana tjetër, sot përfundon dhe afati i dorëzimit të projekt-ideve të krijuara nga studiot ndërkombëtare që u ftuan të marrin pjesë në konkursin për projektin më të mirë të godinës së kompleksit të ri parlamentar, që do të ndërtohet pikërisht aty ku sot ngrihet Piramida.
Projektligji
Megjithëse Komisioni i Ligjeve ka vendosur që të marrë në shqyrtim nesër projektligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, deputetët anëtarë të këtij komisioni ende nuk e kanë marrë atë në dorë. Kjo për shkak se administrata e Kuvendit e ka mbajtur atë të fshehtë deri në orët e vona të pasdites, dhe s’e ka bërë publik as për mediat, duke i dhënë kësaj nisme një lloj misteri, për sa i përket qoftë hartuesve, ashtu edhe procedurës së paraqitjes së tij në Kuvend. Megjithatë, burime pranë mazhorancës kanë bërë të ditur dje se projektligji nuk është gjë tjetër veçse një kopje e projektvendimit të miratuar në fund të nëntorit në Kuvend, po për të njëjtin qëllim, duke i bashkëngjitur atij dhe pjesën teknike të programit paraprak të këtij projekti. Megjithatë, shndërrimi i këtij vendimi në projektligj duket se mbart në vetvete dhe një nonsens logjik, për shkak se tashmë procedura e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar ka nisur me fazën e konkursit të përzgjedhjes së projekt-idesë më të mirë. Ndërkohë, ashtu si dhe në programin paraprak të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar edhe në projektligjin e hartuar për këtë qëllim, investitori, pra Kuvendi, nuk jep një fond limit të parashikuar për mbulimin e shpenzimeve të gjithanshme, që nga ajo për mbulimin e konkursit deri te ndërtimi i godinës, aredimi etj. Edhe interesimit të studiove të projektimit, Kuvendi i Shqipërisë në korrespondencën e zhvilluar me ta i thekson në mënyrë të qartë se nuk ka një fond limit, duke përcaktuar se do të përzgjidhet ai projekt që për t’u ndërtuar kërkon dhe koston më vogël. Një praktikë kjo e pazakontë dhe që është bërë objekt i sulmeve të opozitës.
Konkursi
Ndërkohë që Kuvendi po përpiqet ta fus këtë proces në kanale legjislative, sot mbaron afati i paraqitjes së projekteve të hartuara nga studiot ndërkombëtare të ftuara në konkurs. Afatet e përcaktuara në Rregulloren e konkursit të publikuar edhe në faqen zyrtare në internet të Kuvendit të Shqipërisë, u japin mundësi këtyre studiove që të paraqesin punimet e tyre brenda orës 13.00 të ditës së sotme. Pas ditës së sotme, tri ditë kohë i është lënë sekretarisë teknike të përpunojë materialet e paraqitura nga data 12 deri më 18 mars, në mënyrë që projektet të prezantohen për publikun. Vlerësimi i publikut do të merret në konsideratë nga juria, pasi në rregullore është parashikuar që publiku të ketë një numër të caktuar pikësh që do të përllogariten në tabelën përmbledhëse për çdo projekt.